Në diskutimin mbi zgjerimin në grupin e Social Demokratëve në Parlamentin Europian, raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, e konsideroi të arritshëm objektivin që ka ky vend për të përfunduar negociatat të arritshëm.

“Shqipëria ka ndërrmarë shumë reforma në të kaluarën si reforma në drejtësi, e cila ishte më e thella në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Mendoj se është i arritshëm objektivi për të përfunduar të gjithë kapitujt e negociatave në vitin 2027 ose 2028 dhe pastaj për të qenë gati për t’u bërë një nga shtetet e reja anëtare të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, për mua, tre pika janë jashtëzakonisht të rëndësishme. E para është, nuk ka të bëjë vetëm me hapjen e kapitujve dhe mbylljen e tyre, ka të bëjë edhe me atë që njerëzit në vend të ndiejnë reformat dhe ndryshimin e shoqërisë. Së dyti, mendoj se i gjithë Ballkani Perëndimor edhe Shqipëria po përballet me një ikje të madhe të trurit. Shumë të rinj shqiptarë janë jashtë vendit, sepse ata duan që të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ose Bashkimi Evropian vjen tek ata ose ata shkojnë drejt shteteve anëtare të BE-së. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian rruga drejt tij është gjithashtu një shans, për të ndryshuar këtë situatë, për t’u dhënë një sinjal të rinjve se edhe ata mund të kthehen nga Evropa, dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit”, tha raporteri për Shqipërinë, Andreas Schieder.

Schieder kishte edhe një këshillë për politikanët shqiptarë.

“Mendoj se integrimi nuk është vetëm një çështje që politikanët shqiptarë duhet që ta diskutojnë brenda Shqipërisë. Është gjithashtu e rëndësishme që të shkojmë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të tregojmë historinë se Shqipëria tashmë ka ndryshuar për mirë në mënyrë kaq dramatike saqë është një vend i ndryshëm nga sa mendojnë shumë të tjerë në shoqërinë tonë. Dhe ky është një hap i rëndësishëm edhe për ta bërë një zgjerim të suksesshëm, sepse ka rëndësi nëse e mbështesin të 27 shtetet anëtare. Shqipëria po ecën shumë mirë në këtë drejtim”, shtoi Schieder.

Në një linjë ishte edhe eurodeputeti hollandez Reuten.

“Kur zhvilluam fushatën elektorale për zgjedhjet evropiane në vitin 2024, disa prej nesh thanë, se do të ishte shumë mirë të kishim të paktën dy shtete të reja që anëtarësoheshin në BE para vitit 2029. Të tjerët thanë, po, mirë, kjo nuk është aq realiste. Tani kjo ide është papritmas realiste, falë punës së palodhur në Shqipëri, por edhe në Mal të Zi. Kjo është diçka nga e cila mund të kemi pak shpresë. Dy kandidatët e tjerë kryesorë sipas Komisionit Evropian janë Ukraina dhe Moldavia”, tha Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.

Më 5 maj, Komiteti i Punëve të Jashtme do të votojë për raportin mbi Shqipërinë, i cili më pas do t’i paraqitet Parlamentit Europian.