Në Lezhë ka nisur dëgjesa e parë me qytetarët për reformën territoriale, ku përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës prezantuan qëndrimet e tyre mbi ndryshimet e mundshme në qeverisjen vendore.
Bashkëkryetari socialist për reformën territoriale, Arbjan Mazniku, theksoi se pjesa më e madhe e çështjeve që prekin drejtpërdrejt jetën ekonomike të qytetarëve lidhet me funksionimin e bashkive.
“Rreth 90% e çështjeve lidhen me bashkinë. A i kanë bashkitë të gjitha kompetencat? A i kanë mundësitë financiare? Si qëndron raporti mes të ardhurave që mbledhin vetë dhe atyre që marrin nga qeveria? A kanë burime të mjaftueshme teknike për të ofruar shërbimet e tyre,” u shpreh Mazniku.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat Luçiano Boçi e cilësoi të dështuar reformën territoriale të vitit 2014 dhe kundërshtoi çdo skenar për uljen e numrit të bashkive pa konsensus politik.
“Nëse në fund PS bën atë që kërkon, uljen e bashkive pa konsensus, çfarë fitojmë? E pranuam një herë dhe çfarë solli? Dështim. Nëse ndjekim të njëjtën rrugë, do të kemi të njëjtin rezultat,” u shpreh Boçi.
Pavarësisht dallimeve, të dy palët bien dakord se reforma territoriale duhet të synojë përmirësimin e qeverisjes vendore, ndërsa propozimet përfundimtare ende nuk janë bërë publike.




















