Pese oficerë policie janë pushuar nga detyra pasi një çantë me armë u gjet jashtë shtëpisë së Sadiq Khan. Oficerët e caktuar për të mbrojtur kryetarin e bashkisë së Londrës harruan armët dhe municionet jashtë rezidencës së tij në jug të Londrës.

Çanta përmbante një karabinë gjysmëautomatike MP5 Heckler & Koch, një pistoletë Glock, një armë zjarri Taser dhe fishekë të ndryshëm.

Çanta është gjetur rastësisht nga një qytetar i identifikuar nga mediat britanike si Jordan Griffiths, çka e ka bërë edhe më të rëndë skandalin, ndaj politicia metropolitane është detyruar t’i pushojë nga detyra të gjithë oficerët.

Ai i tha The Sun: “Nuk mund t’u besoja syve dhe bëra disa fotografi si provë të asaj që kisha gjetur. Telefonova policinë dhe u tregova çfarë kisha gjetur dhe brenda pak minutash ata erdhën për të marrë armët.”

Kur mbërritën, u tronditën vërtet. E kontrolluan me kujdes çantën dhe i morën me nxitim. “Më thanë se i kishte lënë atje njëri prej oficerëve të sigurisë së Sadiq Khan, gjë që kishte kuptim pasi ai jeton këtu”, është shprehur qytetari.

Brenda shtatë minutash nga thirrja në polici, oficerët mbërritën në vendngjarje dhe i morën sendet në mënyrë të sigurt. Në këtë fazë të çështjes, Policia Metropolitane beson se çanta është humbur nga oficerët në detyrë pak kohë përpara se qytetari ta gjente atë.