Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cilësoi diasporën si partner kyç për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e inovacionit në Shqipëri, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm rritjeje, por ende me potenciale të pashfrytëzuara.
Gjatë panelit “Diaspora, partner në biznes dhe inovacion” në Samitin IV të Diasporës, Ibrahimaj nënvizoi se rritja e investimeve ka nxitur zhvillimin ekonomik, ndërsa kontributi i diasporës mbetet veçanërisht i vlefshëm për shkak të përvojës dhe ekspertizës që ajo sjell nga jashtë.
Ajo bëri të ditur se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të përfshirë diasporën në zhvillimin ekonomik, përfshirë krijimin e një fondi të posaçëm për inovacionin, i dedikuar për mbështetjen e sipërmarrjeve dhe ndërkombëtarizimin e bizneseve të lidhura me diasporën.
Ministrja theksoi gjithashtu rritjen e interesit të diasporës për sektorin e inovacionit dhe start-up-eve, duke evidentuar një trend në rritje të aplikimeve nga shqiptarët jashtë vendit në programet mbështetëse.
Sipas saj, turizmi mbetet një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në vitet e fundit, falë politikave lehtësuese dhe klimës së favorshme për investime, ndërsa energjia, veçanërisht ajo e rinovueshme dhe e gjelbër, përbën një tjetër prioritet për tërheqjen e investimeve të huaja dhe nga diaspora.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi se falë një plani të qartë pune, samitet e ardhshme pritet të sjellin më shumë rezultate konkrete në përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit.




















