Është kthyer në një anekdotë – e treguar duke shtrënguar dhëmbët – këto ditë në qarqet e BE-së se, sa herë që liderët mblidhen për t’u takuar, siç u mblodhën këto dy ditë në Qipro për të diskutuar praktikalitete, si buxheti i ri i BE-së, përfundojnë duke u marrë me një tjetër krizë.
Nga njëra anë është kriza e vazhdueshme e energjisë, e provokuar nga lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, agresioni rus në Ukrainë që ka hyrë në vitin e katërt. Dhe, mëngjesin e kësaj të premteje, marrëdhëniet e tensionuara Europë SHBA, bashkë me impaktin shkatërrues që kjo mund t’i sjellë mbrojtjes, e ngritën sërish kokën e tyre si të Meduzës.
“Asgjë për t’u shqetësuar,” iu tha gazetarëve kreministri spanjoll Pedro Sanchez, i vendosur të dukej i qetë, teksa mbërrinte në samitin e liderëve. “Po i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj NATO-s.”
Por, çfarë e detyroi të thoshte se nuk qe i shqetësuar?
Një email i dërguar fillimisht nga Pentagoni amerikan dhe i raportuar të premten nga Reuters, kishte rrjedhur për mediat. Ai sugjeronte masa ndëshkueshe nga SHBA ndaj aleatëve që ajo mendon se nuk e kanë mbështetur fushatën e saj dhe të Izraelit në Iran. Email-i thoshte se SHBA-të mund të kërkonin pezullimin e Spanjës nga NATO për shkak të qëndrimeve të mbajtura.
Në fakt nuk ka asnjë dispozitë në traktatet e NATO-s për përjashtimin e një vendi anëtar. Për më tepër, çdo veprim për të mos e lejuar Spanjën të përmbushë role kyçe civile apo ushtarake brenda NATO-s – diçka që gjithashtu u aludua në email si masë ndëshkuese – do të douhej të merrej unanimisht nga të gjithë anëtarët.
Të tjerë liderë europainë, të cilë janë gjithashtu pjesë e NATO-s, u hodhën menjëherë në mbrojtje të Spanjës gjatë samitit të Qipros. Kryeministri hollandez, Rob Jetten tha se se donte të ishte « i qartë si kristal » se Spanja ka qenë dhe do të mbetet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Ai tha gjithashtu se vendet eurpiane po përpiqeshiin fort që për ta forcuar NATO-n. Diçka e tillë, shtoi ai, është gjithashtu në interes të Amerikës.
Një zyrtar i lartë gjerman tha se “Spanja është anëtare e NATO-s. Dhe nuk shoh asnjë arsye se përse kjo duhet të ndryshojë.”
Ndërkohë që kryeministrja italiane Giorgia Meloni – dikur e konsideruar si aq e afërt me Donald Trump sa të shihej si një lloj “hipnotizueseje e Trump-it” në Europë – i kritikoi tensionet mes Uashingtonit dhe Madridit si “aspak pozitive”.
Opinioni publik në rritje në Itali, si në gjithë Europën, është kthyer kundër Trump-it. Meloni duket e detyruar të mbajë qëndrim kundër ish-aleatit të saj të afërt, duke tërhequr edhe zemërimin e tij ndaj Romës.
Kryeministrja italiane i ka mohuar SHBA-së lejen për të përdorur bazën ajrore të Sigonella-s në Siçili për operacione ushtarake kundër Iranit. Si drejtuese e një vendi që e konsideron veten kulturalisht katolik, ajo i quajti gjithashtu “të papranueshme” komentet përçmuese të Trump-it ndaj Papës. Presidenti amerikan, i cili më parë e kishte konsideruar Melonin “një nga liderët e vërtetë të botës”, reagoi ashpër duke deklaruar për një gazetë italiane se “ajo është e papranueshme” dhe “nuk është më e njëjta”.
Email-i i rrjedhur nga Pentagoni sugjeronte gjithashtu një goditje të mundshme ndaj një “aleati special” të dikurshëm dhe anëtari të NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar – duke rishikuar qëndrimin amerikan ndaj pretendimit britanik për Ishujt Falkland në Atlantikun e Jugut, të cilët pretendohen edhe nga Argjentina.
Pse?
Trump mbetet i zemëruar me kryeministrin britanik Keir Starmer që prej momentit kur ky i fundit refuzoi fillimisht përdorimin e bazave ushtarake britanike për sulmet ndaj Iranit në shkurt. Më pas, Britania lejoi përdorimin e tyre për goditje ndaj objektivave iraniane që lidhen me ngushticën e Hormuzit, ndërsa avionët e RAF morën pjesë në misione për rrëzimin e dronëve iranianë.
Por Starmer këmbëngul se përfshirja më e thellë në luftë dhe bllokada aktuale amerikane e porteve iraniane nuk janë në interesin e Mbretërisë së Bashkuar. Trump ka reaguar vazhdimisht ndaj tij me sulme verbale.
Kur bëhet fjalë për Spanjën, megjithatë, Trump duket veçanërisht i acaruar.
Kryeministri Pedro Sánchez ka qenë i drejtpërdrejtë në kundërshtimin e sulmeve SHBA–Izrael ndaj Iranit që në fillim, duke i cilësuar si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Ai refuzoi menjëherë përdorimin e bazave të përbashkëta ushtarake në territorin spanjoll për këto operacione. Kjo çoi në kërcënime – ende të pazbatuara – për sanksione tregtare nga ana e Trump-it. Spanja kishte irrituar më herët Uashingtonin edhe duke qenë i vetmi vend i NATO-s që refuzoi kërkesën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së.
Nga ana e saj, Madridi e ka minimizuar email-in e rrjedhur. Sánchez deklaroi: “Ne nuk punojmë mbi bazën e emaileve. Punojmë me dokumente zyrtare dhe qëndrime zyrtare të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.”
Sipas Camille Grande, email-i zbulon një “keqkuptim themelor” të administratës Trump mbi atë çfarë është NATO dhe si funksionon ajo.
“A janë europianët mjaftueshëm të rreshtuar me SHBA-në, sipas shijeve të Trump-it?” – kjo është pyetja e gabuar për t’u bërë nga Uashingtoni, sipas tij. Aleanca e mbrojtjes bazohet në konsensus, jo në drejtim nga Shtetet e Bashkuara.
Grande e krahason Trump-in me një pronar që kërkon të dëbojë qiramarrësit nga ndërtesa nëse nuk paguajnë mjaftueshëm sipas mendimit të tij. Por NATO nuk është ndërtesa e Trump-it.
Edhe më tej, presidenti francez Emmanuel Macron e ka akuzuar Trump-in se po “zbraz nga brenda” NATO-n duke e minuar vazhdimisht në publik.
Trump shpesh e quan NATO-n një “tigër prej letre” dhe ka kërcënuar disa herë me largimin nga aleanca, duke shkruar së fundmi në rrjetet sociale se e ka parë gjithmonë NATO-n si një “rrugë njëkahëshe”.
“Ne do t’i mbrojmë ata, por ata nuk bëjnë asgjë për ne,” ka shkruar ai.
Këto shfaqje publike përçarjeje janë gërryese dhe potencialisht shumë të dëmshme për sigurinë europiane.
Vendet në lindje të kontinentit ndihen të kërcënuara nga një Rusi gjithnjë e më ekspansioniste. Ekonomia e saj e luftës po forcohet nga të ardhurat e larta nga eksportet e naftës, të nxitura nga kriza energjetike e shkaktuar nga bllokada efektive e ngushticës së Hormuzit nga Irani – dhe kundërbllokada amerikane.
Kryeministri polak Donald Tusk ngriti publikisht pyetjen nëse SHBA do të vinte realisht në ndihmë të aleatëve të saj në rast sulmi, siç parashikon neni 5 i traktatit themelues të NATO-s.
Vetë NATO vlerëson se Rusia mund të jetë gati të sulmojë një vend anëtar brenda tre viteve. Shërbimi holandez i inteligjencës ushtarake (MIVD) theksoi se, pas përfundimit të luftës në Ukrainë, Moska mund të jetë gati për një konflikt rajonal me NATO-n brenda një viti.
“Objektivi rus nuk do të ishte të mposhtte NATO-n ushtarakisht, por ta përçante politikisht përmes fitimeve të kufizuara territoriale, nëse është e nevojshme edhe nën kërcënimin e armëve bërthamore,” thuhet në raportin vjetor të MIVD.
Estonia – një vend i vogël, por me shpenzime të larta për mbrojtjen dhe anëtar i BE-së dhe NATO-s – përjetoi një goditje simbolike këtë javë. Për shkak të prioriteteve amerikane në luftën me Iranin, Pentagoni i kërkoi të shtyjë dorëzimin e gjashtë njësive të një sistemi të avancuar armësh që kishte kontraktuar.
Ambasada amerikane në Talin e kishte quajtur këtë blerje “një nga përmirësimet më të rëndësishme të kapaciteteve ushtarake në historinë e Estonisë”. Tani vendi mbetet i ekspozuar.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth kishte sugjeruar se administrata Trump po i ndan aleatët në “të mirë” dhe “të këqij”.
“Aleatët model që angazhohen – si Izraeli, Koreja e Jugut, Polonia, gjithnjë e më shumë Gjermania, vendet baltike dhe të tjerë – do të marrin favorin tonë të veçantë. Ata që nuk e bëjnë, do të përballen me pasoja,” tha ai në një fjalim në dhjetor.
Sipas Julianne Smith, masa ndëshkuese ndaj Spanjës do të ishte një reagim i tepruar, sidomos kur aleatët nuk janë kërkuar zyrtarisht të marrin pjesë në luftë.
Ajo paralajmëron gjithashtu se, në një moment kur marrëdhëniet transatlantike janë tashmë të tensionuara – përfshirë edhe deklaratat amerikane për Groenlandën – masa të tilla mund të japin një goditje të re të fortë dhe të hedhin një hije të rëndë mbi samitin e ardhshëm të NATO-s.
Në samitin e BE-së në Qipro, liderët nisën të shqyrtojnë një klauzolë të traktatit europian – nenin 42.7 për mbrojtjen e ndërsjellë – në rast se neni 5 i NATO-s bëhet i pavlefshëm përkohësisht.
Por Ursula von der Leyen pranoi se, ndonëse traktati është i qartë për detyrimin për të ndihmuar, ai është i paqartë për mënyrën se si zbatohet kjo në praktikë.
Mes një opinioni publik gjithnjë e më armiqësor ndaj administratës Trump dhe nevojës për të mbajtur SHBA-në në krah për arsye ekonomike dhe ushtarake, shumë vende europiane po përgatiten për operacione detare në ngushticën e Hormuzit pas përfundimit të luftimeve – edhe si një mënyrë për të qetësuar Uashingtonin.
SHBA nuk është pjesë e këtyre diskutimeve, ndërsa Franca preferon këtë mungesë, ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar.
Pas një komenti të kancelarit gjerman Friedrich Merz se lufta në Iran nuk është luftë e NATO-s, administrata Trump u përgjigj duke theksuar përfshirjen e saj në përpjekjet për zgjidhjen e luftës në Ukrainë.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi se, duke parë këto tensione, ekzistenca e NATO-s nuk është e garantuar në dekadën e ardhshme.
Megjithatë, ai thekson se aleanca është në interesin e SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara përbëjnë 25% të ekonomisë globale. Por së bashku me aleatët e NATO-s, ne përbëjmë 50% të ekonomisë globale dhe 50% të fuqisë ushtarake botërore. Kjo e bën Amerikën më të sigurt – diçka që Rusia dhe Kina nuk e kanë,” tha ai.
Stoltenberg hodhi poshtë idenë se Europa e ka braktisur SHBA-në për Iranin, duke theksuar se shumica e aleatëve kanë dhënë mbështetje logjistike pas skenave.
Duke iu rikthyer metaforës së Trump-it për NATO-n si “tigër prej letre”, ai paralajmëron se aleanca të tilla bëhen të padobishme kur digjen nga kritikat e vetë anëtarëve të tyre.
Vendet europiane të NATO-s kanë theksuar vazhdimisht se aleanca është një strukturë mbrojtëse dhe nuk është krijuar për të mbështetur veprime ofensive në Iran. Sulmet SHBA–Izrael shihen në Europë si një luftë zgjedhore.
Mospajtimi mes Europës dhe SHBA-së nuk lidhet me faktin nëse Irani përbën kërcënim, por me mënyrën se si duhet trajtuar ky kërcënim.
Qeveritë europiane favorizojnë diplomacinë dhe sanksionet, jo veprime ushtarake të njëanshme.










