Shqipëria ka mirëpritur misionin vlerësues të MONEYVAL, një moment i rëndësishëm për të dëshmuar progresin konkret në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Dalja nga lista gri e FATF në vitin 2023 dhe përmirësimi i vazhdueshëm i treguesve financiarë dhe ekonomikë konsiderohen si dëshmi e qartë e përparimit të vendit. Ky zhvillim forcon më tej pozicionin e Shqipërisë si një partner strategjik dhe i besueshëm në arenën ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u shpreh se dalja nga lista gri është një arritje e rëndësishme, veçanërisht në një kohë kur disa vende, përfshirë edhe në Evropë, vijojnë të jenë pjesë e saj.

Sipas saj, formalizimi i ekonomisë dhe masat kundër pastrimit të parave kanë rritur besimin dhe investimet në sistemin bankar.

“Shqipëria mirëpret misioni vlerësues të Moneyval kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ne vitin 2023 Shqipëria doli nga lista gri e vendeve problematike të pastrimit të parave, një arritje e rëndësishme sidomos ne një kohë kur edhe vende të tjera, përfshirë ato në Europë mbeten ende pjesë e saj. Formalizimi i ekonomisë, avancimi i qeverisë në luftën kudër pastrimit të parave, është përkthyer në më shumë besim dhe investime brenda sistemit bankar. Një tjetër prioritet është edhe ula e përdorimit të cash-i dhe kalimi drejt një ekonomie digjitale dhe të gjurmueshem duke ndërtuar një sistem financiar më të fortë, më transparent dhe në përputhje me standardet europiane”, tha Koçiu.

Ajo shtoi se kapitali po qarkullon gjithnjë e më shumë brenda sistemit bankar, në kanale të monitoruara dhe transparente. Paralelisht, autoritetet kanë trefishuar rastet e bllokimeve dhe sekuestrimeve të aseteve me origjinë të dyshimtë.

“Vetëm në fillim të këtij viti kemi 30% më shumë transaksione online, apo 25 % rritje të transaksioneve në Euro. Në vitin që lamë pas kishim 13 % rritje të kreditimit të ekonomisë dhe 1.5 miliardë euro investime të huaja direkte, një rekord historik.

Këta tregues flasin qartë, kapitali po qarkullon gjithnjë e më shumë brenda sistemit bankar, në kanale të monitoruara dhe transparente. Paralelisht kemi trefishuar rastet e bllokimeve dhe sekuestrimeve të aseteve me origjinë të dyshimtë. Ndërkohë, ligji i miratuar forcon ndjeshëm mekanizmat për monitorimin dhe bllokimin në kohë reale të transaksioneve të dyshimta.

Tani teknologjitë e reja dhe Inteligjenca Artificiale na japin mundësinë për të rritur efektivitetin e kësaj lufte”, tha Koçiu.

Qeveria shqiptare ka konfirmuar se do të vijojë me vendosmëri reformat, me synim ndërtimin e një sistemi financiar më të fortë, më transparent dhe plotësisht në përputhje me standardet evropiane.