Sot u mbajt seanca e radhës për Erion Veliajn dhe 29 të pandehurit e tjerë, megjithëse procesi gjyqësor u shty për në datën 27 prill.
Në mungesë të tij, avokati mbrojtësi kryebashkiakut, Plarent Ndreca, ka kërkuar që gjykimi të mos vijojë, duke theksuar se nuk janë respektuar të drejtat procedurale të të pandehurit.
Ai ka kërkuar gjithashtu që mbrojtja të pajiset me të gjithë fashikujt e dosjes, duke kundërshtuar kufizimin e vetëm 24 fashikujve që lidhen me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë.
“Së pari, ju duhet të garantoni të drejtën e çdo të pandehuri për t’u njoftuar dhe po ashtu faktin që zoti Veliaj nuk e ka shprehur vullnetin e tij nëse do të marrë pjesë në seancën e sotme. Mendoj që nuk mund të vijojë gjykimi. Ndërsa, për sa u përket 24 fashikujve që ju si gjykatë theksoni që janë fashikuj që lidhen me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë, ne kërkojmë çdo fashikull, sepse janë të pandehur në një procedim të lidhur“, tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj nuk ka paraqitur asnjë deklaratë për arsyet e mungesës në seancë. Ndërkohë, mësohet se Drejtoria e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për shoqërimin e tij dhe nuk ka vënë në dispozicion deklaratën përkatëse.










