Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha gjatë fjalës së tij në Kuvend ka folur lidhur me situatën e sigurisë në vend pasi ambasada amerikane paralajmëroi se grupe të lidhura me Iranin mund të synojnë amerikanët në Shqipëri.

Hoxha ka deklaruar se Ministria e Jashtme po ndjek deklaratat e partnerëve ndërkombëtar dhe se janë në kontakt me ta. Sipas tij nuk ka arsye për t’u alarmuar dhe sipas vlerësimeve të deritanishme situata është e sigurt.

“E vlerësoj shqetësimin e deputetit Shehu. Janë çështje që ministria e jashtme por edhe institucionet e tjera po i ndjekim me shumë seriozitet deklaratat e parterëve tanë këtu. Jemi në kontakt edhe me ata në Uashtington. Janë diskutime që bëhen edhe në forume të ndryshme.

Vlerësimi që kemi sot është se nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar, situata e sigurisë është e sigurt. Ka patur një komunikim nga zyra e shtypit e Kryeministrit, do t’i qëndrojmë asaj dhe do të ndjekim zhvillimet dhe do të informojmë në rrugët e duhura”, tha ai.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë pasditen e së mërkurës lëshoi një paralajmërim se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.

Sipas ambasadës, këto grupe mund të synojnë gjithashtu vende publike dhe të zakonshme, përfshirë qendra turistike, tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ambasada ndër të tjera theksoi rëndësinë e raportimit të çdo aktiviteti të dyshimtë pranë autoriteteve lokale dhe kontakteve të saj diplomatike.