Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se mënyra sesi publiku në Shqipëri gjykon dhe mendon për çështje apo personazhe të caktuara, është për të ardhur keq.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku komentoi ‘fenomenin’ Mimoza Ahmeti, e cila ka rrëmbyer një vëmendje të madhe të publikut në rrjetet sociale, pas pjesëmarrjes së saj në një reality show.
Spahiu tha se Mimoza Ahmeti ka garuar në zgjedhjet e vitit 2001 për deputete nën siglën e Partisë Demokratike në zonën e Kombinatit në Tiranë, por ka humbur.
Sipas Spahiut ishte e çuditshme që publiku shqiptar e pëlqen Ahmetin si banore të një reality shoë për të bërë humor dhe nuk e votoi në zgjedhje, si dhe e la në hije gjatë këtyre viteve (pavarësisht artit dhe poezisë që ajo i ka dhënë Shqipërisë).
“Mimoza Ahmeti është sot njeriu më publik në Shqipëri, njeriu më i dashur dhe më i klikuari. Dhe unë do iu tregoj një ngjarje që është disi e painterpretueshme për t’u kuptuar. Çfarë e zgjoi interesin e publikut për Mimoza Ahmetin. Mimoza Ahmetin unë e kam njohur 25 vite më parë, kur në studion time ligjore në vitin 2001 ka ardhur për t’u konsultuar për çështjen e procesit të zgjedhjeve. Mimoza Ahmeti ka kandiduar për deputete në vitin 2001 për PD-në dhe ka humbur në zonën e Kombinatit.
Tani unë kam një pyetje për publikun. Mimoza Ahmeti aty ka qenë. E para pse publiku nuk ka pasur interes ndaj kësaj intelektualeje dhe e dyta, Mimoza Ahmeti ka qenë aty për publikun edhe politikisht. Pse publiku i pëlqen poezitë e Mimoza Ahmetit, pse publiku e pëlqen Mimoza Ahmetin si banore në një shtëpi të izoluar me personazhe dhe artistë, pse publikut i intereson të lexojë për jetën e Mimoza Ahmetit, pse i pëlqen ajo pjesa elitare, inteligjenca e Mimoza Ahmetit, por publikut nuk i pëlqen ta votojë dhe të përfaqësohet nga Mimoza Ahmeti.
Çështja është që ky zjarri i dashurisë publike është si flaka e kashtës, që do të thotë afatshkurtër, apo dashuria për Ahmetin do të vazhdojë. Ahmeti, një njeri me kontribute dhe merita në art për 4 dekada, mbetet në hije dhe askushi dhe bëhet dikushi për një javë që hyn në një reality show. Kjo është anormale. Publiku e pëlqen vetëm si banore për të parë gallatë dhe kjo është negative”, tha mes të tjerash Spahiu.




















