Drita jeshile pas dy vitesh: Çfarë u vendos në takimin 2-orësh Hita–Braho dhe Prokurorët e SPAK

Duket se më në fund është hapur drita jeshile dhe takimi i djeshëm është një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet e Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese, por dhe një sinjal i fortë për krimin e organizuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim rreth dy orësh me drejtuesin e SPAK z. Klodian Braho dhe me Prokurorë të SPAK.

Ky është një sinjal shumë pozitiv, pasi prej afro dy vitesh ka munguar besimi dhe bashkëpunimi mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit.

Emërimi i Drejtorit të ri të Përgjithshëm po sjell një frymë të re, duke ndikuar në rritjen e besimit dhe forcimin e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese, gjë që u reflektua dhe u konkretizua me takimin e djeshëm.

Nga burime, mësohet se është diskutuar për rivendosjen e marrëdhënieve mes këtyre dy institucioneve shumë të rëndësishme. SPAK prej kohësh ka kërkuar për largimin e oficerëve apo drejtuesve të ndonjë strukture policore për të cilët SPAK disponon informacione se mund të jenë të implikuar apo që kanë tentuar të dekonspirojnë operacionet e tij.

Mësohet se Skënder Hita ka siguruar kreun e SPAK se tashmë mes dy institucioneve do të ketë marrëdhënie të bazuara në besim dhe profesionalizëm.

Po në të njëjtën ditë, Drejtori i Përgjithshëm Hita zhvilloi edhe një takim të rëndësishëm me delegacionin e Europol-it, të kryesuar nga z. Andy Kraag, ku u riafirmua partneriteti i fortë dhe u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.

Në të njëjtën frymë, Drejtori i Përgjithshëm, që në ditën e dytë të detyrës, ndërmori menjëherë masa konkrete për forcimin e integritetit brenda radhëve të Policisë së Shtetit, duke pezulluar 8 drejtues, oficerë dhe punonjës policie të rolit bazë, të dyshuar për shpërdorim detyre, në kuadër të një rasti të evidentuar së fundmi për kultivim të bimëve narkotike me llamba.

Ky veprim përcjell një mesazh të qartë për të gjithë efektivët: zbatimi i ligjit është i panegociueshëm dhe çdo shkelje trajtohet me tolerancë zero.

Nga ana tjetër, këto zhvillime në të njëjtën ditë dëshmojnë qartë angazhimin për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, si dhe për të garantuar standarde të larta integriteti brenda Policisë së Shtetit, në funksion të rritjes së efektivitetit në luftën kundër krimit.

Por dhe një fakt tjetër shumë me rëndësi, ctensionim marrhëniesh mes medias e Policisë, mes Policisë dhe institucioneve por dhe brenda organizatës.

Këto sinjale do motivojnë njerëzit e punës dhe do dekurajojnë pakicën e inkriminuar apo që përpiqet të përfitojnë sa herë ndodhin ndryshime.

Por vallë a do e mbajë këtë ritëm e filozofi Drejtori i Përgjithshëm Hita, kjo mbetet për tu parë. Por fillimi mbarë është gjysma e punës thotë populli!