Përfaqësuesi i tij shkon në selinë e PD-së për të dorëzuar dokumentacionin për kreun e PD! Berberi: Na thanë nuk ka njeri, Berisha ka thënë vetë se Salianji është martir i demokracisë
Këtë të mërkurë, pak para orës 12:00, është paraqitur në selinë e PD-së përfaqësuesi i ish-deputetit Ervin Salianji për të dorëzuar kandidimin për garën e Partisë Demokratike. Përfaqësuesi i tij, Orest Berberi, është paraqitur pranë administratës së selisë, në holl, ku ka folur me rojën për të dorëzuar dokumentacionin e Ervin Salianjit.
Përfaqësuesi i Salianjit është shprehur për mediat se rojet i thanë se nuk ka përfaqësues për të pritur dokumentacionin në seli. Sipas tij, ata i thanë se nuk ka përfaqësues në zyrë.
Nga ana tjetër, Berberi i është përgjigjur pyetjes së një prej gazetarëve, se a i ka parë Salianji kriteret, duke qenë se kriteri i vendosur në formular është që nuk duhet të jesh i dënuar. Sipas gazetares, Salianji rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë.
Gazetarja: “A e di zoti Salianji që ekziston ky kriter?!”
Berberi: “Vetë Berisha ka thënë se Salianji është martir i demokracisë për dënimin e tij. Tani kjo që po ndodh këtu është e qëllimshme për t’i prerë rrugën kandidimit.”










