Nga Eduard Zaloshnja
Në përpjekjen e saj të parë elektorale (31 mars 1991), PD-ja i humbi të gjitha garat mazhoritare në zonat rurale. Unë e provova në kurrizin tim atëherë një garë elektorale rurale, kur kandidova për PD-në përballë një kryetareje kooperative bujqësore të PPSH.
Po ama, kandidatët e PD-së fituan në çdo zonë urbane. Madje një kandidat demokrat mundi edhe Ramiz Alinë e PPSH-së, bash në zonën ku ishte themeluar Partia Komuniste. Sidoqoftë, ngaqë 67% e popullsisë së atëhershme banonte në fshat, 67% e Kuvendit u mbush me kryetarë kooperativash bujqësore…
Në garën e dytë elektorale të PD-së (22 mars 1992), kur kooperativat bujqësore komuniste ishin shpërndarë, ajo dhe aleatet e saj të vogla morën plot 67% të votave, në një fitore plebishitare si në qytet edhe në fshat. PD-ja nuk ishte më një parti vetëm urbane, ajo dominoi edhe në zonat rurale.
Në zgjedhjet e vitit të vështirë 1997 (zgjedhjet e vitit 1996 nuk po i llogarisim, sepse kutitë u mbushën 90% nga kaçatorët “demokratë” të terrenit), PD-ja arriti të ruante një përkrahje të mirë vetëm në zonat urbane sipër Shkumbinit (sepse poshtë Shkumbinit nuk shkonte dot për të bërë fushatë).
Në zgjedhjet e vitit 2001, PD-ja e balancoi disi raportin rural-urban. Po sidoqoftë, “formula e Dushkut” për shtimin artificial të mandateve parlamentare proporcionale, e la atëherë PD-në në një minorancë 2/5 në Kuvend.
Në zgjedhjet e vitit 2005, PD-ja e balancoi mirë përkrahjen urbane-rurale. Dhe falë përçarjes së të majtës, si dhe motos “Me duar të pastra” apo KOP-it, arriti të kthehej në pushtet.
Dhe më 2007, PD-ja filloi kthesën rurale të saj. PS-ja, me Ramën e sapoardhur në krye të partisë, i fitoi zgjedhjet lokale në të gjitha qendrat e mëdha urbane, përveç Shkodrës. Ndërsa PD-ja fitoi pothuaj në të gjitha komunat rurale (Berisha atëherë mburrej me hartën e Shqipërisë blue, ku komunat demokrate mbizotëronin në sipërfaqe, por nuk kishin shumë banorë…)
E njëjta histori u përsërit më 2009, kur koalicioni i PS-së ishte superior në zonat urbane, por PD-ja e risiguroi pushtetin falë epërsisë rurale dhe ndihmës së LSI-së… Dhe qysh atëherë, dallimet urbane-rurale mes dy partive kryesore janë thelluar nga një palë zgjedhje në tjetrën.
Kështu, në zgjedhjet e fundit parlamentare (11 maj 2025), pothuaj 40% e votave të këtushme të PD-së ishin në zona rurale, ndërkohë që as 35% e votave të PS-së nuk ishin në ato zona. Nga ana tjetër, mbi 65% e votave të këtushme të PS-së ishin në zona urbane. Dhe jo si dikur, zonat urbane kanë tani pothuaj dyfishin e popullsisë së zonave rurale…
Dhe situata elektorale është rënduar edhe më tej për PD-në nga 11 maji e këtej.
Në sondazhin tim të fundit për “Zërin e Shqiptarëve’ (shihni më poshtë grafikun), rezultoi se në zonat urbane, vetëm 28.1% e atyre që janë gati të votojnë sot, ia japin votën PD-ASHM. Dhe e vetmja reze e vogël shprese për të mbetet elektorati rural. Por problemi është se në zonat rurale, popullsia është pothuaj sa gjysma e popullsisë urbane…











