Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe sistemin bankar, nënshkroi këtë të mërkurë partneritetin për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një instrument i ri financiar që synon rritjen e aksesit në financim për bizneset shqiptare dhe nxitjen e investimeve, punësimit dhe konkurrueshmërisë së tyre.

Programi parashikon një linjë kredie prej 250 milionë eurosh, të mbështetur nga Banka e Shqipërisë dhe e ofruar përmes sistemit bankar me norma interesi më të ulëta se ato aktualisht në treg. Skema do të shoqërohet edhe me një garanci sovrane nga Ministria e Financave, e cila synon të lehtësojë aksesin e bizneseve në kredi, përfshirë mbulimin deri në 70% të kolateralit.

Në aktivitetin e nënshkrimit, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të sistemit bankar, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se programi synon të forcojë ekosistemin e sipërmarrjes shqiptare dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas saj, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 99% të bizneseve në Shqipëri, duke e bërë mbështetjen e tyre një prioritet për rritjen ekonomike. Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare ka regjistruar rritje të qëndrueshme në vitet e fundit, në intervalin 3.5-4%, ndërsa objektivi është që kjo tendencë të përshpejtohet përmes mbështetjes së sektorit privat dhe rritjes së investimeve.

Ministrja e lidhi nismën edhe me procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar potencialin që krijon anëtarësimi në Bashkimin Evropian për bizneset shqiptare, përmes përshtatjes me standardet dhe aksesit në tregun evropian me mbi 450 milionë konsumatorë.

Duke iu referuar raportit të fundit të OECD-së “SME Policy Index 2025”, Ibrahimaj vlerësoi se Shqipëria po konsolidon politikat mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me fokus inovacionin, cilësinë dhe qëndrueshmërinë si shtylla të zhvillimit ekonomik.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se SME-të përbëjnë sektorin kryesor të ekonomisë shqiptare dhe burimin më të madh të punësimit në vend. Sipas tij, programi synon të rrisë aksesin në financë, veçanërisht për sektorët e nënfinancuar, si dhe të mbështesë investimet në teknologji, digjitalizim, efikasitet energjetik dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.

Malaj bëri të ditur se, krahas linjës së kreditimit prej 250 milionë eurosh, qeveria do të zgjerojë edhe garancinë sovrane ekzistuese prej 30 milionë eurosh, duke e shtrirë mbështetjen edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përtej sektorit bujqësor. Ai shtoi se bizneset do të mbështeten edhe me grante për përgatitjen e planeve të biznesit dhe projekteve të investimit që do të aplikojnë për financim pranë bankave.
rogrami “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të rrisë konkurrueshmërinë dhe produktivitetin e SME-ve, të nxisë investimet private dhe të përshpejtojë përafrimin e ekonomisë shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.