Më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në podcastin e radhës së të dielës ku nuk kurseu ironitë dhe akuzat ndaj opozitës.
“Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari”, theksoi kryeministri.
Sipas tij opozita tentoi të të dëmtojë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare, jo vetëm me deklarat por edhe protesta të dhunshme me molotov në Tiranë, por edhe të bllokojë anëtarësimin e Shqipërisë.
“Ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës. Mblidh benzinë e hidh bombë artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan po ashtu kanaleve e portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët. Mblidh e hidh jargë urrejtjeje politike, pasqyrë më pasqyrë, u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi proverbial krejt edhe ajo çka ndodhi me të ashtuquajturën vizitë treditore në Ministrinë e Jashtme në Berlin. Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij Rama theksoi se Shqipëria po ecën me vendosmëri drejt objektivit për t’u bërë pjesë e familjes europiane brenda kësaj dekade.
Një tjetër lajm pozitiv nga Brukseli, sipas kryeministrit ishte edhe disbursimi i 49 milionë eurove të tjera në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Me këtë fond, mbështetja totale për Shqipërinë arrin në 212 milionë euro, duke e renditur vendin si përfituesin më të madh në rajon nga ky program.
“Tjetër mbështetje financiare e Bashkimit Europian ka ardhur nga Brukseli, ndërsa është vendosur çelja e fazës përmbyllëse të negociatave, është njëkohësisht vijuar edhe me çeljen e një tjetër fondi për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 49 milionë euro, të cilat e çojnë mbështetjen deri këtu në 212 milionë euro, ose shifra më e lartë e përftuar nga vendet e rajonit prej Planit të Rritjes. Plani i Rritjes është një plan financimi mbi bazë rezultatesh dhe janë rezultate të certifikuara nga Komisioni Europian, të padiskutueshme në objektivitetin e tyre, sepse, ndryshe nga sa e përflasin ditë e natë ata që në fund gjithmonë humbasin, Shqipëria jonë, Shqipëria europiane që po ndërtojmë, është një histori suksesi, një histori që nuk shkruhet me britma, nuk bëhet me shpifje apo me molotovë, por me vizion, me punë, me durim të madh dhe me përkushtim hap pas hapi, reformë pas reforme”, theksoi Rama.










