Fjalët e trajnerit të Milanit në prag të ndeshjes në San Siro që vlen një vend në kompeticionin më të rëndësishëm evropian.

“Ritmi i vitit 2026 ka qenë tragjik. Në fushën tonë, në tre ndeshjet e fundit kemi marrë vetëm një pikë. Këto janë shifrat. Nesër është ndeshja e fundit e sezonit dhe sot është konferenca ime e fundit për shtyp. Ju falënderoj që më keni toleruar — edhe kemi qeshur së bashku, gjë që është ndër gjërat më të rëndësishme. Nesër objektivi është i arritshëm, duhet ta rrëmbejmë. Përndryshe, mbrëmja e nesërme nuk do të jetë e bukur.

Do ta përballim Cagliari-n me respekt të madh. Ata kanë një trajner të ri, Pisacane-n, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer. Kanë zhvilluar një sezon të mirë dhe jam i lumtur për këtë, pasi jam shumë i lidhur me Cagliari-n. Nesër duhet të bëjmë një ndeshje serioze: me një rezultat pozitiv kemi mundësinë të kualifikohemi në Champions League.”