Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka vlerësuar me Certifikatën e Karrierës 7 punonjës policie, të cilët kanë shërbyer për më shumë se katër dekada në strukturat e Policisë së Shtetit.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e daljes së tyre në pension, Hita shprehu mirënjohjen për kontributin dhe përkushtimin e efektivëve ndër vite, duke theksuar se ata kanë luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e institucioneve dhe edukimin e brezave të rinj të policisë.
“Sot është një ditë vlerësimi, respekti dhe mirënjohjeje për kolegët tanë, të cilët mbyllin një kapitull të rëndësishëm të jetës së tyre profesionale pas një rruge të gjatë dhe dinjitoze në radhët e Policisë së Shtetit”, u shpreh ai.
Kreu i Policisë theksoi se pensioni nuk përbën fundin e kontributit të tyre, por nisjen e një etape të re në jetë, ndërsa nënvizoi se përvoja dhe profesionalizmi i tyre do të mbeten një referencë e vyer për institucionin.
“Dera e Policisë së Shtetit do të jetë gjithmonë e hapur për ju, për mendimet, këshillat dhe eksperiencën tuaj”, deklaroi Hita.
Nga ana tjetër, punonjësit që dolën në pension falënderuan drejtuesit dhe kolegët për bashkëpunimin ndër vite, ndërsa i uruan sukses Drejtorit të Përgjithshëm në drejtimin e Policisë së Shtetit.
Në ceremoni morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të Akademisë së Sigurisë, si dhe kolegë të efektivëve që mbyllën karrierën.
Me Certifikatën e Karrierës u vlerësuan Drejtuesi i Parë Albert Dervishaj, Drejtuesi i Parë Skender Kalemi, Drejtuesi Dritan Avdyli, Drejtuesi Remzi Brahimi, si dhe kryekomisarët Nikolin Thana, Idajet Shatro dhe Arben Ibro.










