Nga Ben Andoni
Prej javësh nuk bën më përshtypje në publik se z. Sali Berisha, lideri historik i PD-së, do të garojë i vetëm! Prej vitesh nuk bën më përshtypje që nuk ka njeri te PS-ja ta eklipsojë apo të jetë alternativë ndaj z. Rama (Cili është vallë numri 2 apo 3?)! Edhe njëherë kur u mundua, ish-Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, të thoshte diçka (sërish në mbështetje) për Ramën, iu hodhën përsipër kolegët e tij. Kundërshtia e ish-Kryetares së Kuvendit dhe ish-Ministres së Jashtme, znj. Spiropali ndaj kryetarit nuk zë vend; ashtu si te PD-ja përpjekja vetanake e sfidantit Salianji drejt familjes së të Djathtëve, PPE, ka të ngjarë të përcillet vetëm në formë protokollare. Asgjë nuk inkurajohet më nga politika e sotme në Shqipëri.
Kanë mbijetuar të vetëm ata, Rama dhe Berisha (Historia dhe propaganda e tyre po fshin të gjithë ata që erdhën pas ’90), pa lënë gjurmë as edhe për nostalgji. Të dy kanë objekt vetëm njëri-tjetrin dhe asgjë më shumë, menaxhimin si duhet në planin e brendshëm. Anipse, sot, Berisha nuk kontrollon më asgjë në shtet (PD-ja është e mbetet vetë ai), veç akuzave që i bëhen për korrupsionin në kohën kur ishte në detyrë; nëmien e non-gratës amerikane dhe britanike që ia kujtojnë shpesh dhe pasurisë së familjarëve. Me Ramën identifikohet shteti shqiptar dhe shpesh kryeministri me narracionin, besimin dhe mbi të gjitha fuqinë e shfaq pa mëdyshje.
Por, Shqipëria nuk është më përjashtim në Ballkan. Për fatin e keq, opozita jonë vegjeton njësoj si simotrat në Kosovë, Serbi, Maqedonia e Veriut, Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Pati një këndellje të vogël, pak ditë më parë, por shpejt u shua. Fitorja e opozitës në Hungari nuk pati as më të voglin ndikim, as për frymë dhe as për logjikë. Entuziazmi i Magyar nuk ndezi fare tek vendet në Ballkan, ku Viktor Orban ishte një personazh i nderuar dhe adhuruar. Në vizitën e tij në Budapest, kryeministri Rama do t’i drejtohej mes të tjerave: “Ne e kemi parë gjithmonë Hungarinë si shembull sa i takon reformave të brendshme në administratë e qeveri. Ne kërkojmë të mësojmë gjithmonë e më shumë nga Hungaria”. Të mendosh BE e kushtëzoi deri më bllokime fondesh Hungarinë e kohës Orban!! Kur përmendje pak java më parë Hungarinë, nënkuptohej vetë Orban. Në fakt, Rama e kishte një të drejtë: Shqipëria gjatë Presidencës së Hungarisë hapi një grup të tërë kapitujsh për integrimin e Bashkimin Evropian, kurse Komisioneri hungarez Oliver Varhelyn, gjatë 5 viteve në detyrë, ishte një interlokutor i mirë për Shqipërinë me BE-në. Ikjen e Orban, në fakt, e vajtoi më shumë Republika Srpska në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës. Ky organizim, i drejtuar nga Milorad Dodik, jo vetëm përfitoi kredi por mori dhe një qasje politike në strukturat evropiane nga mbështetja e Hungarisë. Kjo e fundit vendoste veto ndaj sanksioneve vënë këtij etniteti problematik në zemër të Ballkanit, pa asnjë mëdyshje. Kurse Beogradi zyrtar, përmes presidentit Vuçiq, u investua deri në orët e fundit për fitoren e Orban pa mundur të ndryshojë trendin e pakthim të opozitës së re hungareze që tashmë drejton vendin.
Rasti i Hungarisë nuk do të trajtohej nëse ngjashmëria e Orban me sjelljet e liderëve në Ballkan të mos ishin aq afër. Momenti u përmend si shembull vullneti edhe në Shqipëri, ku duket se opozita e sotme, vuan përballë një shteti-parti, përçarjet e saj të brendshme, krizën e madhe të besimit, mosngjalljen dot të frymës, por edhe largimin nga kanonet demokratike. Kosova është shembulli më i prekshëm sot, bashkë me opozitën në Serbi, kjo e fundit ka humbur pikë dhe ndaj lëvizjes protestuese studentore. Nëse do t’i ngarkoje me faj, kjo do ishte shenjtë e një shikimi jo realist. Rasti i Orban që më vonë u ushqye dhe nga liderët e Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë është i dukshëm, sepse i bashkoi me një fill metodologjia e kapjes së shtetit. OSBE\ODHIR evidenton shpesh pas zgjedhjeve në Shqipëri problemet e përdorimit të burimeve shtetërore (favore, përdorimin e administratës publike, bashkë me fondet dhe tenderët) për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve dhe për t’i mbajtur nën një presion konstant votuesit dhe mbi të gjitha sistemin e patronazhimit, tashmë evident në të gjithë vendet tona.
Por asnjë shembull s’mjafton. Opozita jonë në Shqipëri, bashkë me atë në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë luftojnë ashpërsisht brenda tyre. Të vjen ndërmend ajo që po ndodh në orët e fundit me gjuhën shqipe, ku në vend që partitë shqiptare të shkojnë tek rrënja e problemit: Zbehja e Marrëveshjes së Ohrit dhe përballja me Kushtetutën e Maqedonisë, akuzojnë paraardhësit. Në të gjithë debatin e orëve të fundit, problemi më i madh për VLEN nuk ishte situata, e ardhmja e shqiptarëve dhe sjellja e paskrupullt nga aleatët e tyre qeverisës VMRO-DPME, por vetëm e vetëm BDI-ja. Në Shqipëri, luftërat e brendshme të pafundme të PD-së dhe sidomos përplasjet e marifetet me liderët e partive të vogla opozitare, veçanërisht kur afrohen fushatat zgjedhore tregojnë qartë se mungojnë platformat për të krijuar frymë, siç ndodhi në rastin e Magyar në Hungari. Oferta e tyre mbetet tejet e dobët. Media në të gjitha vendet tona i hedh benzinë zjarrit dhe duket tejet e lexueshme në përballjet e politikës dhe në mungesën e misionit për të informuar dhe edukuar. Maxhoranca në Shqipëri përmend nga ana statistikore, pjesën sasiore që e ka opozita në kohën televizive dhe veçanërisht Z.Berisha; kurse opozita kujton pjesën cilësore që është në dorë të maxhorancës dhe që ndikon në opinionet.
Në një sens duket se opozita e sotme shqiptare nuk e ndërton dot një identitet të qartë sepse merret më shumë me pasojat e qeverisjes së maxhorancës së Edi Ramës, pa ngritur së pari vizionin sesi do ta drejtojë vendin. Dhe realiteti shqiptar i opozitës do mbahet mënd për përçarjen. Të mendosh sesa parti ka nxjerrë PD-ja tmerrohesh për fuqinë destruktive që ka individi politik shqiptar, ku paradoksalisht ideologjia zë pak vend. Kjo, i bën zyrtarët sot të duken shumë të paaftë dhe bosh për të qeverisur. Këtë narrativë po përdor edhe Rama, direkt ose indirekt, madje i kënaqur kur opozita shkon në zgripe paqartësie dhe amullie: Vallë këta doni t’ju drejtojnë! Kurti e bën më hidhur në Kosovë duke treguar përçarjet e LDK-së dhe pafuqinë e PDK-së: Vallë këta doni t’ju marrin përsipër! Si për ironi, dikur në pushtet edhe këto parti kanë qenë të zhytur në korrupsion dhe keqdrejtim të vendit, ndaj publiku stepet. Kjo ndodhi rëndom në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Serbi e gjetkë. Në Ballkan tashmë është i gjallë perceptimi, se asgjë nuk ndryshon. Korrupsioni nuk ka ideologji dhe këtë e shikon nga emrat e të arrestuarve, ashtu si retorika që përdorin. E kështu, edhe statusquo mbetet: PD-ja, e vetme mjaftohet duke punuar që kandidatura e Berishës të mos përballë asnjë kandidat; ashtu si Rama, i vetëm, e thotë pa u shqetësuar se do të iki nga pushteti kur të dojë vetë. Të vetëm, ata kanë mundësi të qesëndisin pas vitit 2008, këtë tollovi që e drejtojnë vetë hapur ose edhe pas kuintave. Por të vetëm, duke lënë një distancë higjiene politike ndaj kujtdo që provon t’i afrohet pushtetit. Tek e fundit, ata janë historia! Dhe historia u takon fitimtarëve, si ata. Ose siç e thoshte dramaturgu Henrik Ibsen te “Armiku i Popullit”: “Eh, çështja është se njeriu më i fortë në botë është ai që qëndron krejt i vetëm”. (Homo Albanicus)










