Elseid Hysaj i ka dhënë fund aventurës së tij me Lazion në Serie A pas pesë sezonesh të kaluara në kryeqytetin italian. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka konfirmuar largimin nga skuadra bardhekaltër përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale, duke falenderuar klubin, shokët e skuadrës dhe tifozët për mbështetjen ndër vite.

Në reagimin e tij, Hysaj theksoi se periudha te Lazio ka qenë e mbushur me emocione, momente të bukura dhe sfida, ndërsa nënvizoi se ka dhënë maksimumin me profesionalizëm deri në ditën e fundit. Futbollisti shqiptar rezervoi një falenderim të veçantë për tifozët lacialë, duke shtuar se Roma do të mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij dhe familjes së tij.

“Pas 5 vitesh me këtë fanellë erdhi momenti për t’u përshëndetur. Kanë qenë vite intensive, plot me emocione, momente shumë të bukur dhe të tjerë më të vështirë, por gjithnjë kam dhënë gjithçka me profesionalizëm dhe respekt deri në ditën e fundit. Dua të falenderoj shokët e mi të skuadrës, një grup i vërtetë, i përbërë nga djem të jashtëzakonshëm me të cilët kam ndarë shumë momente brenda dhe jashtë fushe.

Një falenderim special edhe për të gjithë tifozët e Lazios, ngrohtësia, pasioni dhe mbështetja juaj kanë qenë shumë të forta dhe do të mbeten përjetë me mua. Roma do të jetë gjithnjë një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe unë e familja ime do t’ju jemi gjithnjë mirënjohës.

Ju uroj më të mirën dhe shpresoj që LAZIO TË KTHEHET ATY KU MERITON TË JETË. Faleminderit për gjithçka, FORCA LAZIO PËRGJITHMONË”, shkroi Hysaj në mesazhin e tij të lamtumirës.

Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm në karrierën e mbrojtësit kuqezi, i cili pritet të zgjojë interesin e disa klubeve në merkato. Në sezonin e fundit 32-vjeçari ka koleksionuar vetëm 170 minuta lojë pasi u aktivizua në pesë ndeshje.