Ndërsa kalon në rrugën drejt Plepave siç njihej dikur segmenti nga Kombinati në Durrës, nuk mund të mos vësh re tabelën që të drejton në kalanë e Varoshit dhe Varrin e Ashikut në Ndroq.
Fare afër kryeqytetit, këto destinacione duhen vizituar sidomos tani në pranverë pasi natyra e harlisur kombinohet me historinë e pasur të zonës duke sjellë për vizitorët përvojë të veçantë. Them se shumë pak njerëz e dinë që në Ndroq ndodhet kalaja e Varoshit, mbi një kodër që dikur shërbente si vendroje për të kontrolluar Durrësin e luginën e Erzenit, ndërsa sot ofron panorama të jashtëzakonshme deri në det.
Vizitorët kanë disa opsione për t’iu afruar kalasë, për më aventurierët shtegu këmbësor që kalon përmes ullishtave të moçme të Ndroqit, mes shtëpive të vjetra të lagjes Varosh dhe tjetri në rrugë të asfaltuar deri shumë pranë kalasë.
Nisemi në shtegun këmbësor, edhe pse moti nuk duket shumë në favorin tonë, me re të dendura në horizont ndërsa dielli del e mbulohet prej tyre. Pemët dhe shkurret e gjelbra me lulet e majit që kanë shpërthyer në çdo cep bëjnë çdo peizazh të bukur. Arat dhe kopshtijet e rrethuara me gardhe druri janë të punuara dhe të mbjella ndërsa kumbullat, manat po piqen në pemë. Përgjatë shtegut maret janë të shumta si ftesë për ta vizituar sërish në kohën kur ato pjekin frutet e tyre të kuqe.
Ndërsa fitojmë pak lartësi jemi mes ullishtave të moçme të Ndroqit, ku ndoshta qindra ullinj mbulojnë kodrën me trungjet e përdredhura dhe vrima-vrima nga mosha. Janë ndër pasuritë më të mëdha natyrore dhe agroturistike të Tiranës, ku disa prej këtyre pemëve llogaritet të jenë mijëvjeçare sipas banorëve të zonës dhe studiuesve.
Nuk arrijmë dot të dallojmë cili është më i vjetër se tjetri ama disa prej tyre qëndrojnë veç me trungjet madhështore të brejtur nga brenda por ende me gjethe të gjelbra dhe lule. Sipas studiuesve, në ullishtat që mbulojnë shpatet kodrinore të Ndroqit të tarracuara me gurë dhe të mbuluara me ullinj që vazhdojnë të prodhojnë gjenden të atillë që mendohet se janë deri 3500-vjeçarë.
Është bukur t’i soditësh këta ullinj që kanë qenë aty ndoshta që nga fillimi i historisë.
Tani nuk është sezoni, por kur ullinjtë piqen dhe fillon vjelja dhe prodhimi i vajit zona përbën një itinerar të veçantë ku mund të vizitosh fabrikat dhe të provosh vajin e famshëm të ullirit që del prej tyre.
Fabrika e parë e përpunimit në Ndroq daton që nga viti 1840, ndërsa sot ka shumë të tilla me teknologji të përparuar, por mullinjtë me gurë të vajit të ullirit përfaqësojnë fillesat e industrisë së përpunimit të ullirit në këtë zone. Si dëshmi e “inxhinierisë popullore” gurët që i kanë rezistuar kohës ruhen me fanatizëm nga banorët e zonës.
Përgjatë shtegut tashmë duken shtëpitë e para. Një e tillë, e re e rregulluar dhe skaj saj versioni më i vjetër ndodhen në një pllajë ku një pemë mani të bardhë e mbushur plot ofron frutet e para. Lehja e qenit alarmon të zotin që del të shohë. Na përshëndet me përzemërsi dhe pyet ku po shkojmë. Ndërsa na uron rrugë të mbarë na pyet nëse na nevojitet ujë për ta marrë me vete.
Pjesa e fundit e shtegut të ndesh me pemë të vjetra qershie të egër që janë pjekur. Janë disa të tilla.
Pas kësaj pjesë, shtegu ia lë vendin rrugës jo të shtruar të fshatit që ngjitet lart deri tek tabela që tregon kalanë e Varoshit. Aty kryqëzohet me shtegun tjetër që vjen nga rruga e asfaltuar të cilin do e marrim në kthim, ndërsa lugina e Erzenit befas shfaqet e tëra përpara nesh.
Shenjat dhe tabelat shfaqen njëra pas tjetrës. Bashkë me to dhe shtëpi të vjetra që janë të banuara. Fshati Varosh ka qenë i grumbulluar në këtë kodër përpara se banorët të zbrisnin në tokat poshtë për të ndërtuar shtëpi të reja.
Kalaja e Varoshit duket qartë që ka pasur përkujdesjen e autoriteteve të bashkisë së Tiranës, pasi aty janë vendosur edhe tabela shpjeguese për historinë e saj, stola dhe vendpushimi, ndërsa pjesa kryesore është e rrethuar dhe ka portë hyrëse.
Në majë kupton se pak ka mbetur nga vetë kalaja, disa mure rrethuese dhe struktura e saj që dallon mes barit dhe luleve. Një pus me gur i ka mbijetuar kohërave. Sipas historianëve, Kalaja e Varoshit (e njohur gjerësisht edhe si Kalaja e Ndroqit) në anën e majtë të luginës së lumit Erzen, në një lartësi prej 387 metrash mbi nivelin e detit mbart histori të pasur që lidhet me sistemet mbrojtëse të antikitetit të vonë dhe mesjetës në Shqipëri.
Gjurmët e para dhe muret rrethuese datojnë rreth shekullit IV–VI të erës sonë. Ndërtimi i saj fillestar përkon me periudhën e dyndjeve të para barbare sllave. Kalaja ka shërbyer si një pikë kyçe në sistemin e mbrojtjes për qytetin bregdetar të Durrësit. Ajo komunikonte përmes sinjaleve pamore me fortifikimet e tjera të rrethinave të Tiranës, siç janë Kështjella e Dorëzit dhe Kalaja e Petrelës.
Muret e mbetur janë të gjerë dhe dallohen qartë edhe ornamente.
Sapo zbresim vëmendjen e tërheq një godinë poshtë mureve të mbetur. Brenda ka dy varre të vjetër të mbuluar me cohë sipas traditës së bektashinjve. Më vonë, nga një banor do të mësojnë se bëhet fjalë për Teqenë e Hyzmeqarit që vizitohet shpesh nga banorët. Këtë e vërteton edhe një fletore pranë njërit prej varreve ku ishin shkruar emrat e disa vizitorëve të pak ditëve më herët.
Jashtë rrethimit të kalasë një banor ka përshtatur shtëpinë e tij si vend mikpritjeje për turistët. Tavolinat me karrike, kënd lojërash, lule të shumta, kafazë me shkurta janë aty por moti me shi nuk na lejoi të bisedonin me të zotët e banesës.
Kthimi bëhet nga shtegu i shënuar i rregulluar shkallë-shkallë me mbajtëse druri për të mos rrëshkitur e që të zbret në rrugën automobilistike.
Pas soditjes së dhjetëra gjineshtrave me lulet e tyre të verdha që mbulonin shpatet, devijojmë e hyjmë sërish në fshat.
Tashmë shiu ka nisur mirë. Për çudi, shohim çadrën e dikujt që ka vendosur të kujdeset për perimet e kopshtit edhe pse bie shi.
Samiu është shumë dashamirës. Na tregon për ullishtat që ka trashëguar si pjesë e familjes së tij dhe pemët e reja që ka mbjellë. Ai thotë se në këtë pronë ka edhe dy varre të vjetër pa emra që ka vendosur të mos i heqë. “Le të rrinë aty”, thotë, kur të bien ullinjtë afër do i mbledhin dhe aty”.
Ai na ofron menjëherë të na çojë në Ndroq me makinën e tij që e ka parkuar pak më poshtë, meqënëse bie shi. Por, sikur të ishte ndonjë shenjë, shiu ngadalëson e pushon fare.
Gjithsesi për pak derisa arrijmë në rrugën e asfaltuar ku rrebeshi na detyron të gjejmë strehë te restorant “Panorama”. Fat i mirë pasi restoranti ndanë rrugës është një vend i bukur dhe me ushqim të shijshëm, dhe siç na siguron Bledi, tërësisht me prodhime fshati.
Bledi punon me prindërit dhe vëllain në këtë biznes të ngritur pak e nga pak që prej vitit 2005. Biem dakord me të kur thotë se në ato vite Ndroqi dhe rrethinat e tij njiheshin më së shumti nga kryeqytetasit dhe turistët për ushqim dhe natyrë, e më pas dolën destinacione të tjera.
Ndërsa dielli largon shiun, kafja turke na duket edhe më e mirë. Largohemi nga Ndroqi me shumë gjëra të bukura për të treguar, kaq afër Tiranës me ullishtat e moçme, kalanë e Varoshit dhe njerëzit bujarë.









