Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ishte e pranishme në aktivitetin për firmosjen e marrëveshjes së re të financimit ndërmjet Bankës Europiane të Investimeve dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se ky moment nuk lidhet thjesht me nënshkrimin e një marrëveshjeje, por me pikën ku ndodhet sot ekonomia shqiptare dhe drejtimin ku po shkon.
“Ky aktivitet nuk lidhet thjesht me nënshkrimin e një marrëveshjeje, por me pikën ku ndodhet sot ekonomia shqiptare dhe drejtimin ku po shkojmë. Zhvillimi ekonomik shqiptar është në një moment shumë të mirë. Dekadën e kaluar Shqipëria kaloi një transformim jo vetëm institucionalisht, por edhe teknologjikisht. Ekonomia shqiptare është më e formalizuar, më transparente dhe më konkurruese se më parë.” u shpreh Ibrahimaj.
Ajo nënvizoi se PBB-ja e vendit është rritur nga 13 miliardë në mbi 27 miliardë euro, ndërsa 70% e eksporteve shqiptare shkojnë tashmë në Europë.
Ministrja shtoi se Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makro-ekonomik dhe ka forcuar financat publike, duke ulur borxhin publik nga mbi 70% e PBB-së një dekadë më parë në më pak se 50% sot, ndërkohë që ekonomia vazhdon të rritet me ritme nga 3.5% në 4%.
“Ajo që është më e rëndësishme është fakti se bizneset shqiptare po transformohen. Sot 99.4% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin internetin dhe teknologjinë digjitale në aktivitetin e tyre. Ndërkohë që investimet në automatizim, software, sistemet digjitale dhe inovacion rriten vit pas viti.
Ibrahimaj e konsideroi digjitalizimin si një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra, duke theksuar se mbi 95% e shërbimeve publike ofrohen online, me 1200 shërbime të aksesueshme digjitalisht, çka ka reduktuar ndjeshëm burokracinë dhe kostot administrative për qytetarët dhe bizneset.
“Ajo që është më e rëndësishme është fakti se bizneset shqiptare po transformohen. Sot 99.4% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin internetin dhe teknologjinë digjitale në aktivitetin e tyre, ndërkohë që investimet në automatizim, software, sisteme digjitale dhe inovacion rriten vit pas viti,” tha ministrja.
Duke folur për perspektivën, ajo nënvizoi se rruga e Shqipërisë është e qartë dhe e pandalshme drejt integrimit europian, një mundësi e jashtëzakonshme për komunitetin e biznesit, por edhe një sfidë për të arritur standardet e kërkuara dhe për të konkurruar në tregun e përbashkët europian.
“Rruga jonë është shumë e qartë, ne jemi në drejtimin europian dhe kjo për ne është një mundësi e jashtëzakonshme, por edhe një sfidë për të arritur standardet e kërkuara dhe për të konkurruar në tregun e përbashkët europian. Na duhet të investojmë, të përqendrohemi në rritjen e produktivitetit, të teknologjisë, inovacionit dhe transformimit digjital.” tha Ibrahimaj, duke e cilësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm në rrugën e modernizimit ekonomik të vendit.
Sipas saj, marrëveshja e nënshkruar sot përbën një instrument të rëndësishëm financiar për këtë qëllim.
“Instrumenti për inovacionin dhe transformimin e gjelbër i përgjigjet këtyre nevojave. Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor ku ky instrument prezantohet, çka reflekton besimin e partnerëve tanë europianë”, tha Ibrahimaj.
Ajo sqaroi se marrëveshja me Intesa Sanpaolo Bank Albania parashikon një financim prej 20 milionë eurosh për bizneset shqiptare.
“Ky financim do të mbështesë investime në tranzicionin e gjelbër dhe digjital, automatizimin industrial, inteligjencën artificiale, sistemet cloud, logjistikën inteligjente, energjinë e rinovueshme dhe efiçencën energjetike”, u shpreh ajo.
Një element i rëndësishëm i instrumentit, sipas ministres, është edhe mekanizmi “cashback”, i cili synon të ulë kostot për bizneset.
“Përmes këtij mekanizmi, 10% e investimeve të kryera nga bizneset në inovacion, digjitalizim dhe tranzicion të gjelbër do të kthehen mbrapsht pas zbatimit të suksesshëm”, tha Ibrahimaj.
Ministrja falënderoi Bankën Europiane të Investimeve, Komisionin Europian dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania për bashkëpunimin.
“Besoj fort se ky është vetëm fillimi i një faze të re bashkëpunimi që do të ndihmojë përshpejtimin e ekonomisë shqiptare dhe zhvillimin e një sektori privat më modern, më konkurrues dhe më inovator”, përfundoi Ibrahimaj.










