Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja iu përgjigj dje në Kuvend pyetjeve të depozituara nga deputetja Ina Zhupa rreth zhvendosjes së fondit të Muzeut Arkeologjik në një parking nëntokësor.
“Në zbatim të VKM nr. 111 dt 27.02. 2026, MTKS i është referuar praktikave ndërkombëtare që integrojnë funksione muzeale në hapësira edhe nëntokësore, apo infrastruktura urbane që janë të ngjashme si për shembull në Romë, në Krakov, Luvër etj.”, tha ministri Gonxhja.
Ai theksoi se, kërkesa institucionale fillestare është paraqitur nga Akademia e Shkencave dhe autoriteti kontraktor për procedurat e prokurimit është përzgjedhur Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për zbatimin dhe për mbikëqyrjen.
MTKS ka sugjeruar që projekti të përmbushë të gjitha standardet ndërkombëtare të ruajtjes, duke parashikuar sisteme kontrolli mjedisor, ndriçimi e sigurie, të përshtatshme për objektet arkeologjike.
Gonxhja tha se, MTKS në rolin e saj koordinues, ka marrë në shqyrtim kërkesën e ASHSH-së për përmirësimin e kushteve të ruajtjes dhe ekspozimit të këtij fondi që ata posedojnë por edhe të gjetjeve të tjera që mund t’i bashkohen.
“Vlerësimet e detajuara të fizibilitetit, shqyrtime të alternativave që do të trajtohen në fazat përkatëse, do të jenë subjekt dhe juridiksion i FSHZH si autoritet kontraktor”, tha ministri Gonxhja.










