Një “çrregullim skizoid i personalitetit”. Deri dy vjet më parë, Salim El Koudri ka qenë nën trajtim në Qendrën e Higjienës Mendore në Castelfranco Emilia, në provincën e Modenës, ku dje hetuesit shkuan për të sekuestruar kartelat klinike të 31-vjeçarit, autorit të tentativës për masakër në Via Emilia të Modenës. Një hap i parë për të mësuar më shumë rreth të riut të lindur në Seriate, në zonën e Bergamos, nga prindër marokenë, por që aktualisht banon në Ravarino. Kjo është një qytezë e vogël rreth 15 kilometra larg vendit ku, në orën 16:30, ai zgjodhi të hipte me makinën e tij në trotuar për të përplasur me shpejtësi këdo që i dilte përpara.

Negativ për alkool dhe drogë

Deri dje, El Koudri ishte një person krejtësisht i panjohur. Asnjë precedent penal, asnjë denoncim. Duket se as një gjobë. Ai jetonte vetëm në një apartament që agjentët e kontrolluan imtësisht në kërkim të ndonjë prove që mund të shpjegonte çfarë e shtyu 31-vjeçarin të kryente veprimin e tij. Gjithashtu po hetohet nëse ka pasur persona të tjerë që mund ta kenë nxitur, edhe pse ai nuk rezulton nën efektin e alkoolit apo drogës. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia e ndonjë lloj medikamenti.

Gjithashtu po hetohet pse zgjodhi pikërisht atë segment të Via Emilia-s përballë disa dyqaneve për të devijuar makinën e tij. Nuk përjashtohet që të merren në pyetje edhe tregtarët e zonës për të verifikuar nëse drejtuesi i makinës ishte një fytyrë e njohur, nëse kishte punuar aty ose kishte kërkuar punë, në rast se ngjarja lidhet edhe me një akt hakmarrjeje për refuzim apo largim./Corriere della Sera