Këtë të dielë në orën 17:00 në Romë do të zhvillohet finalja e ‘Italian Open’ në tenis mes Jannik Sinner dhe Casper Ruud. Italiani Sinner ka 33 fitore radhazi në ‘Masters 1000’, duke ia dalë të sigurojë finalen e gjashtë radhazi në ‘Masters’ (ka fituar 5). 24-vjeçari ka një detyrë historike sot, pasi kërkon që të rikthejë Italinë në vendin e parë të turneut të shtëpisë, pasi i fundit italian që e ka siguruar një trofe të tillë ka qenë Adriano Panatta 50 vite më parë, në finalen kundër Guillermo Vilas në vitin 1976.
Roma zotëron elegancën e historisë dhe joshjen e legjendës. Për pesëdhjetë vjet, midis statujave të ‘Foro Italico’ që kujtojnë përjetësinë e saj, ka bredhur hija e pavdekshme e Adriano Panattas, italiani i fundit që u bë perandor nën qiellin e kompeticionit italian. Këtë pasdite në orën 17:00, dëshirat e ndjekura, ëndrrat e humbura dhe shpresat e ushqyera për gjysmë shekulli do ta shoqërojnë Sinnerin në fushë, njeriun e fatit, djalin që zbriti nga malet me një raketë tenisi në dorë për t’i treguar faqen e artë historisë së madhe të sportit italian.
Sinner rikthehet sërish pas një viti në këtë finale, por vjet u mposht nga një titan tjetër si Carlos Alcaraz. Me 33 fitore radhazi në ‘Masters 1000’ dhe me gjashtë finale po radhazi (rekordin e mban Djokovic me shtatë midis Romës 2015 dhe Miamit 2016), Sinner kërkon lavdinë që për Italinë do të jetë historike.
Përballjet kundër Ruud – Katër takimet e mëparshme mes Jannik Sinner dhe norvegjezit 27-vjeçar flasin vetë. Italiani ka fituar gjithmonë në sete të pastra. Herën e fundit që të dy u takuan ishte në Romë një vit më parë, kur numri një në botë e mposhti Ruudin në pak më shumë se një orë me rezultatin 6-0, 6-1. Sinner, i cili synon të fitojë titullin e tij të gjashtë radhazi në Masters 1000 (i cili do të ishte i pari në histori për të), nuk ka humbur që nga 19 marsi në Doha kundër Mensik.










