Në një reagim të shpërndarë nga Ermal Yzeiraj, avokati i ish Ministrit Shëndetësisë Ilir Beqaj, ky i fundit ka përgëzuar Shqipërinë për miratimin e IBAR-it dhe përparimin në procesin e integrimit europian, por e ka lidhur këtë zhvillim edhe me çështjen penale ndaj tij. Beqaj shprehet se miratimi i IBAR-it tregon se, ndryshe nga pretendimet e ngritura ndaj tij, veprimet që i atribuohen nuk e kanë dëmtuar rrugën europiane të Shqipërisë. Ai thotë se prej 23 muajsh ndodhet në paraburgim dhe se çështja e tij, sipas tij, është përdorur si statistikë për të dëshmuar luftën kundër korrupsionit, ndërsa kërkon që procesi të vlerësohet me paanshmëri dhe në respekt të shtetit të së drejtës.

Deklarata e plotë:

Në cilësinë e avokatit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:

Përgëzime shtetit tim për miratimin e IBAR

Të martën, më 26 maj 2026, në Bruksel u mbajt Konferenca e 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri.

Në rrugën e integrimit europian, kjo konferencë pati një rëndësi të veçantë, pasi “konfirmoi se Shqipëria, në përgjithësi, i ka përmbushur standardet e ndërmjetme të të ashtuquajturit Klasteri 1: THEMELORËT”.

Si çdo qytetar shqiptar, edhe unë ndihem i lumtur për këtë arritje të vendit tim. Për këtë arsye, ndiej detyrimin të përgëzoj publikisht Shqipërinë dhe institucionet e saj për këtë hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Megjithatë, personalisht, ndihem edhe i lehtësuar nga një brengë që më ka munduar prej shtatë muaj.

Në fund të tetorit 2025, në kuadër të një gjykimi kushtetues lidhur me paraburgimin tim, organi qe ngre akuzë në emër të shtetit tim pretendoi, ndër të tjera, se veprimet që më atribuohen mua kishin dëmtuar rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Miratimi i IBAR-it dhe vijimi i procesit të negociatave tregojnë se, fatmirësisht, kjo nuk ka ndodhur. Unë nuk kam qenë shkaku që integrimi i vendit tim në Bashkimin Europian — motoja e lëvizjes demokratike që çoi në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri në vitin 1990 — të cënohej, pengohej apo ndalej.

Pasi u lehtësova nga kjo barrë e rëndë, fillova të mendoj më pozitivisht edhe për veten time. Ndiej brenda meje se edhe unë kam dhënë një kontribut personal dhe konkret në rezultatet e shtetit tim, në përparimet konkrete dhe të matshme të arritura gjatë dy viteve të fundit në procesin e negociatave për anëtarësimin në BE.

Prej 23 muajsh ndodhem në paraburgim me akuzën, të ngritur nga organi i posaçëm i akuzës i shtetit tim, për korrupsion pasiv të funksionarit të lartë në lidhje me fondet e Bashkimit Europian.

Në korrik 2024, një gjykatë e posaçme e shkallës së parë vendosi se unë nuk jam funksionar i lartë (në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC) dhe se nuk ka prova për korrupsion.

Në gusht 2024, një gjykatë e posaçme apeli konfirmoi me vendim se unë nuk jam funksionar i lartë (në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC) dhe se nuk ka prova për korrupsion.

Në janar 2025, Gjykata e Lartë konfirmoi vendimin e apelit dhe deklaroi se, në mungesë të provave për korrupsion, nuk kishte rëndësi të përcaktohej nëse Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC ishte funksionar i lartë apo thjesht funksionar publik.

Megjithatë, në tetor 2025, drejtuesi i organit të posaçëm të akuzës deklaroi publikisht përpara Komisionit të Ligjeve të Kuvendit se ky institucion po ushtronte ndjekje penale ndaj funksionarëve të lartë të akuzuar për korrupsion me fondet e Bashkimit Europian.

Që nga ai moment kam pasur ndjesinë se çështja ime po konsiderohej si statistikë edhe në kontekstin më të gjerë të demonstrimit të angazhimit të vendit në luftën kundër korrupsionit.

Në janar 2026, Gjykata Kushtetuese konfirmoi vendimin e Gjykatës së Lartë.