Kanye West ka hyrë në histori me koncertin e tij në Stamboll, duke mbledhur plot 118 mijë spektatorë në Stadiumin Olimpik Atatürk dhe duke vendosur një rekord të ri për pjesëmarrjen më të madhe në një koncert të organizuar ndonjëherë në një stadium.
Mijëra fansa nga Turqia, por edhe nga vende të tjera si Britania e Madhe, Gjermania, SHBA, Polonia, Rusia dhe Kazakistani, udhëtuan drejt Stambollit për të ndjekur nga afër performancën e reperit fitues të çmimit Grammy. Koncerti u shndërrua në një spektakël maratonë me performanca DJ-sh, efekte dritash dhe lazerësh, festa para dhe pas koncertit, si edhe pjesëmarrjen e Travis Scott.
Pamjet me dron nga stadiumi i mbushur plot pushtuan rrjetet sociale, ndërsa fluksi i jashtëzakonshëm i spektatorëve shkaktoi mbingarkesë në transportin publik dhe në stacionet e metrosë së qytetit.
Suksesi i koncertit në Stamboll vjen vetëm pak javë përpara ndalesës së radhës së Kanye West në Shqipëri. Më 11 korrik, artisti pritet të performojë në Tiranë, në një event që konsiderohet ndër më të mëdhenjtë muzikorë të organizuar ndonjëherë në vend.
Në Kashar ka nisur tashmë ndërtimi i stadiumit provizor “Eagle Stadium”, me kapacitet rreth 60 mijë spektatorë. Stadiumi po ndërtohet enkas për koncertin dhe ndodhet pranë autostradës Tiranë-Durrës.
Interesi për koncertin në Tiranë mbetet i lartë, pavarësisht polemikave që kanë shoqëruar artistin në Europë. Vetëm pak ditë më parë, autoritetet italiane ndaluan koncertet e planifikuara të Kanye West dhe Travis Scott në Reggio Emilia, duke argumentuar se ekzistonin shqetësime për rendin publik, sigurinë dhe protestat e mundshme.
Megjithatë, rekordi i vendosur në Stamboll pritet të rrisë edhe më shumë pritshmëritë për koncertin e 11 korrikut në Tiranë, ku organizatorët synojnë të sjellin një nga ngjarjet më të mëdha muzikore që ka parë ndonjëherë Shqipëria.










