Ish-Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një letër kreut të SPAK, Klodian Braho.

Për këtë letër ka vënë në dijeni ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, të deleguarën e ambasadës amerikane në Tiranë Nancy VanHorn, Departamentin e Drejtësisë në SHBA, Kongresin e Senatin Amerikan, si dhe trupin diplomatic të akredituar në Tiranë.

Meta ngre akuza për shkelje procedurale dhe ndërhyrje politike në hetimet ndaj tij. Ai kërkon nga kreu i SPAK që të mos bëhet asnjë kërkesë e re ndaj autoriteteve amerikane për shtyrjen e afatit të mbajtjes sekret të dokumenteve që lidhen me kontratën mes LSI-së dhe kompanisë GSIS.

Letra e plotë:

I nderuar Z. Klodjan Braho, Drejtues i SPAK,

Duke ju uruar suksese në detyrën tuaj si Drejtues i SPAK, jam i detyruar të kërkoj vëmendjen tuaj për një çështje shumë të rëndësishme, që nuk ka të bëjë vetëm me standardet e hetimit dhe gjykimit ndaj personit tim, të cilat janë shkelur shumë rëndë dhe qëllimisht, por sidomos për të parandaluar shkatërrimin jo vetëm të procesit të rregullt ligjor në vazhdim, por edhe për të larguar çdo hije dyshimi të ndikimeve jotransparente, të paligjshme dhe të papërshtatshme të asistencës ndërkombëtare në rastin e hetimeve ndaj meje dhe në veçanti në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që duhet të jenë transparente dhe të besueshme.

Më konkretisht, më 23 qershor 2026 përfundon afati i caktuar nga një gjykatë e SHBA në zbatim të kërkesës së nisur nga Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë, që GSIS të mos i jepte asnjë informacion LSI-së apo të tjerëve lidhur me shërbimet dhe pagesat e bëra midis dy palëve sipas kontratës së 3 shkurt 2016 të regjistruar në SHBA dhe Shqipëri, në respekt të plotë të ligjeve antikorrupsion të SHBA dhe vendit tonë.

Jo vetëm kaq, por në këtë përgjigje drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, shkruhet se nëse autoritetet shqiptare kanë nevojë për një zgjatje të periudhës 2-vjeçare të mosbërjes publike të informacionit, mund ta kërkojnë me shpjegime të detajuara.

Kjo përgjigje e datës 15 korrik 2024 (bashkëlidhur letra), drejtuar me e-mail Znj. Alba Thoma, Drejtore e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë nga Drejtori i Departamentit të Drejtësisë i SHBA, Z. Vaughn A. Ary dhe Prokurori Z. Michael E. Eaton, natyrisht që vjen në përgjigje të kërkesave specifike të bëra nga pala shqiptare.

Në radhë të parë, unë kërkoj nga ju si Drejtues i SPAK-ut, të mos bëhet një kërkesë e re për shtyrjen e bërjes publike të gjithë informacionit, që ka të bëjë me kontratën GSIS-LSI, pasi kjo do të bënte të pamundur mbrojtjen time efektive lidhur me akuzat e ngritura për këtë çështje, ndërkohë që çështja ka kaluar në gjykimin në themel.

Po kështu, duke qënë se veprimet juridiksionale me jashtë, SPAK i bën përmes Ministrisë së Drejtësisë, që kontrollohet nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka urdhëruar publikisht arrestimin tim nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste (Shih: https://www.youtube.com/watch?v=q-xv6sZS4s4), duam të shmangim çdo ndikim të mëtejshëm politik nga ana e Qeverisë shqiptare, që jo vetëm do të pengonte zbardhjen e plotë të kësaj çështje, por edhe do të pamundësonte mbrojtjen time efektive për këtë çështje gjatë gjykimit në themel.

Po kështu, ish-partnerja e Charles McGonigal, Znj. Allison Guerriero, e cila ka luajtur rol në denoncimin e lidhjeve korruptive Rama-McGonigal edhe kohët e fundit e ka bërë publik disa herë presionin që i bëhet nga kolegë të McGonigalit në Departamentin e Drejtësisë, që të heshtë për lidhjet e tij me Kryeministrin Rama.