Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita: “Donacione të tilla përkthehen në më shumë kapacitete parandaluese, goditëse dhe hetimore në luftën kundër krimit.”

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia e dorëzimit të disa donacioneve me pajisje të teknologjisë bashkëkohore, të ofruara nga Zyra e Operacioneve Ndërkombëtare e Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar (HOIO), në mbështetje të strukturave të Policisë së Shtetit.

Në këtë ceremoni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, Menaxherja Rajonale e HOIO, zj. Tara Moore, Menaxheri Ndërkombëtar Ndërlidhës i HOIO, z. Stephen Law, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe përfaqësues të strukturave përfituese të këtyre donacioneve.

Gjatë fjalës së tij, Drejtor Hita shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve britanikë, duke vlerësuar bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar si një model të konsoliduar dhe me rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe fenomeneve të tjera me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ai theksoi se investime dhe donacione të tilla rrisin ndjeshëm kapacitetet operacionale dhe profesionale të Policisë së Shtetit, duke ndikuar drejtpërdrejt në identifikimin më të shpejtë të risqeve, avancimin e kontrolleve kufitare, rritjen e efikasitetit të analizës dhe hetimit policor, si dhe në forcimin e goditjes ndaj krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar, në funksion të rritjes së sigurisë për qytetarët.

Nga ana e saj, zj. Tara Moore konfirmoi angazhimin e agjencive britanike për të vijuar mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit, përmes asistencës teknike, logjistike dhe shkëmbimit të praktikave më të mira profesionale, në funksion të forcimit të kapaciteteve ligjzbatuese dhe rritjes së efektivitetit operacional.

Donacionet, me vlerë totale rreth 200 000 paund, përfshijnë pajisje moderne teknologjike që do të përdoren nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, si dhe nga Njësia e Informacionit të Pasagjerëve.