Policia e Shtetit, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik dhe mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet online, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Banka e Rreme 2”.

Operacioni u zhvillua pas identifikimit të një fushate mashtruese të tipit “smishing”, përmes së cilës qytetarë të ndryshëm kanë marrë mesazhe (SMS) në emër të një institucioni bankar të nivelit të dytë, ku u kërkohej përditësimi i të dhënave bankare nëpërmjet klikimit të një linku mashtrues që imitonte faqen zyrtare të institucionit financiar.

Si pasojë e kësaj skeme kriminale, disa qytetarë kanë dhënë të dhënat e tyre bankare, duke u bërë viktimë e mashtrimit.

Falë reagimit të menjëhershëm të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në koordinim me Prokurorin e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj skeme, shtetasit I.K., 25 vjeç, me nënshtetësi holandeze, si edhe shpallja në kërkim e shtetasit A.R të dyshuat si bashkëpunëtor në këtë veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të parashikuara nga nenet 143/b dhe 186/a të Kodit Penal.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve apo linkeve të dyshimta që kërkojnë të dhëna personale ose bankare. Asnjë institucion bankar nuk kërkon përditësim të të dhënave sensitive nëpërmjet SMS-ve ose linkeve të dërguara në telefon.

Në çdo rast të dyshimtë, qytetarët ftohen të raportojnë menjëherë pranë Policia e Shtetit, si dhe pranë institucionit të tyre bankar.