Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë është hapur me një minutë heshtje për dy fëmijët e ndjerë që humbën jetën dje gjatë një aksidenti tragjik që ndodhi në zonën e Spitallës në Durrës.
Gjatë fjalës hapëse, drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, tha se aksidenti tragjik i ka tronditur të gjithë.
Më tej, ajo shtoi se humbja e jetëve në moshë aq të vogël përbën një dhimbje të madhe, qoftë për familjen, por edhe për anëtarët e Kuvendit dhe shoqërinë.
“Të nderuar deputetë, ngjarja në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, na ka tronditur të gjithëve.
Humbja e jetëve në moshë aq të vogël përbën dhimbje të madhe qoftë për familjen, por edhe për anëtarët e Kuvendit dhe të shoqërisë.
Unë nuk e shpreh dot me fjalë dhimbjen e atyre dy nënave që humbën fëmijët e tyre. U prehshin në paqe”, u shpreh Spahiu.
Kujtojmë që një mjet tip “Benz ML” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, përplasi dje tre të mitur, ndërsa një i katërt i shpëtoi mrekullisht aksidentit.
Dy fëmijë humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës, ku tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon.
Në lidhje me ngjarjen reaguan dje Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ministra, si dhe deputetë si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës.








