Mjeku i mirënjohur Tritan Kalo u pyet nga DITA lidhur me shqetësimet për hantaviruset, duke sqaruar se këto infeksione janë të njohura prej kohësh dhe janë të pranishme edhe në Shqipëri, kryesisht për shkak të kontakteve të njerëzve me minjtë e arave.

Sipas dr.Kalos, situata duhet marrë në konsideratë me seriozitet, por pa krijuar alarm të panevojshëm në publik.

“Anijet kanë minj në bordet e tyre. Hantanvituset janë të pranishme edhe te ne. Shkaktojnë për çdo vit infektime sepse njerëzia kanë kontakte me minjtë e arave, forma e shpeshtë e rasteve. Diçka për tu patur në konsideratë por jo për tu rënë këmbanave të alarmit”, shprehet ai.

Mjeku sqaron se një nga rrugët më të mundshme të infektimit është prekja pulmonare nga pluhuri që përmban ekskremente të minjve, por edhe kontakti direkt me persona të infektuar.

“Prekjet pulmonare nga pluhuri me ekskrementet e minjve ose kontakti direkt me të sëmurë të tillë është një rrugë e mundëshme infektimi. 10-12% rreziku vdekjeprurës sepse nuk ka mjekim specifik”, thekson Kalo.

Ekspertët këshillojnë shmangien e kontakteve me ambientet e ndotura nga brejtësit, përdorimin e masave mbrojtëse gjatë pastrimit të magazinave apo zonave rurale dhe ruajtjen e higjienës, sidomos në ambiente ku mund të ketë prani minjsh.