Nga Ardi Stefa
Dje, një djalosh i ri, rreth 19- 20 vjeç, kishte publikuar në Facebook një shkrim për politikën, të majtën dhe të djathtën. I shkruajta poshtë shkrimit “Rroftë ChatGPT!”. M’u përgjigj të shkoja të shikoja profilin e një politikaneje të lartë të “kampit kundërshtar”, se shkrimi ishte i tij dhe më sugjeronte të lexoja librin dhe autorin, të cilin e kishte cituar.
Replika ime ishte që të përmbahej e të mos gënjente, pasi për shkak të profesionit gjuhën shqipe e njoh, mendoj, shumë mirë. Përgjigje nga personi në fjalë nuk pati, por komentet e tjera ishin ditirambe për të…
Dhe ndërkohë filloj reflektimin tim. Dikur duhej të lexoje libra për t’u dukur i zgjuar. Sot mjafton një lidhje në internet, një situatë “më shkruaj një analizë filozofike mbi demokracinë moderne” dhe një “copy paste”. Brenda pesë sekondash lind një tjetër “analist”, “gazetar”, “filozof”, “politolog”, “ekspert gjeopolitike” apo “mendimtar publik” me status Facebook-u dhe ego akademiku.
Madje edhe mund të kërkosh që artikullin ta bëjë “më therës”, më të mprehtë, me citime filozofësh, shkrimtarësh apo politikanësh, që as ua ke dëgjuar emrin, jo më t’i kesh lexuar apo studiuar.
Prej OpenAI dhe ChatGPT, Shqipëria ka hyrë në epokën më të çuditshme: në epokën e popullit gazetar e analist shqiptar, në epokën më të çuditshme të dijes, në epokën ku njerëzit citojnë libra që s’i kanë hapur kurrë, përmendin filozofë emrin e të cilëve mezi e shqiptojnë dhe bëjnë analiza politike mbi koncepte që nuk i kuptojnë as në nivelin e një fjalori.
Sot sheh ndonjë status me emra si Friedrich Nietzsche, Fyodor Dostoyevsky apo Niccolò Machiavelli dhe kupton menjëherë që autori nuk ka lexuar as parathënien e librave të tyre. Por nuk ka problem. ChatGPT ua nxjerr citimin, ua ndërton analizën dhe ua jep edhe tonin “intelektual”. Ata pastaj e hedhin në Facebook si pulën që ka pjellë vezën e shekullit.
Dhe nuk është problemi te përdorimi i inteligjencës artificiale. Personalisht jam pro përdorimit të IA, sepse mund të jetë një asistent i përkryer i profesionit, fjalës dhe mendimit tonë. Por kur s’je as i zoti, s’ke as mendim e fjalë IA të nxjerr zbuluar. Tregon se se dembel e sa pak je kur heq Inteligjencën Artificiale.
Përdorimi i IA nuk është problemi. Problemi është te marrëzia natyrale. Sepse një mjet mund të të ndihmojë të shkruash më mirë, por nuk të jep kulturë. Nuk të jep dije. Nuk të jep mendim kritik. Nuk të mëson gramatikën e shqipes. Nuk të mëson morfologjinë, sintaksën, ritmin e fjalisë, peshën e fjalës, harmoninë e mendimit. Nuk të mëson dallimin mes një argumenti dhe llogjeve të kafeneve.
Sot lexojmë “artikuj” ku fjalia fillon në Vlorë dhe mbaron në Kuala Lampur. Artikuj ku logjika gjuhësore e shqipes përdhoset. Presja është zhdukur, është zëvendësuar me vizën në mes, ndërsa kur vihet, vihet në mënyrë të gabuar përpara lidhëzës bashkërenditëse “dhe”. Foljet rrihen me kohët dhe mënyrat si deputetët në Kuvendin e Shqipërisë. Mbiemrat përdoren keq aq sa cilësimet ngatërrohen me marrëdhëniet. Artikuj ku fjalët përkthehen mekanikisht, aq sa shqipja duket si ndonjë gjuhë ilegale që ka hyrë kontrabandë nga Google Translate.
Dhe më tragjikja është entuziazmi infantil i disa çunakëve që mezi shkruajnë një kërkesë pa gabime, por pretendojnë autorësinë e “eseve”, “analizave” dhe “platformave e shkrimeve politike e filozofike” të prodhuara nga ChatGPT apo OpenAI. I shohin me vetëbesimin e një akademiku, ndërkohë që nuk dinë as renditjen bazë të fjalëve në fjali. Nuk kanë idenë e koherencës apo kohezionit gjuhësor. Nuk njohin as nyjen, as rasën, as kuptimin e një metafore, por flasin për “dekonstruktimin epistemologjik të narrativës politike”.
Dhe lexuesi vret mendjen të zbërthejë fjalitë kilometrike, si fjalitë e Don Kishotit të Mançës: “Arsyeja e mosarsyes që i bëhet arsyes sime, ma dobëson aq shumë arsyen sa me arsye vajtoj bukurinë tënde!”
Faktkeqësisht të dukesh i ditur e jo të jesh i ditur është kthyer në modë.
Dija kërkon kohë. Kërkon libra. Kërkon mundim. Kërkon net pa gjumë, gabime, redaktime, korrigjime. Ndërsa sot kërkohet vetëm një prompt i shkruar keq dhe një ego e shkruar edhe më keq.
Fatkeqësisht, Inteligjenca Artificiale nuk po nxjerr në pah inteligjencën njerëzore. Në shumë raste po nxjerr në pah vanitetin dhe paditurinë njerëzore në përdorimin e teknologjisë jo për të mësuar më shumë, por për t’u dukur më shumë.










