Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi këtë të hënë punimet për ujësjellësin e qytetit të Elbasanit. Projekti financohet nga Banka Gjermane dhe kap vlerën e 13 milionë eurove.
Investimi synon furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë për rreth 60% të banorëve të qytetit. Në kuadër të tij janë restauruar dy depo me kapacitet 2 mijë metra kub secila, ndërsa është ndërtuar edhe një depo e re me dy ndarje.
Sipas ministrit Karakaçi, projekti ka përmirësuar cilësinë dhe sasinë e ujit të pijshëm, ndërsa puna do të vijojë për të siguruar furnizim 24 orë për të gjithë popullatën e Elbasanit.
Gjatë vizitës, ministri theksoi edhe përmirësimin e performancës së ujësjellësit të Elbasanit, duke deklaruar se niveli i arkëtimeve ka kaluar 105% dhe se tashmë paguhen të gjitha faturat e energjisë elektrike. Sipas tij, kjo krijon mundësi për investime të tjera në rrjet dhe kanalizime të reja.










