Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu përcolli një mesazh vlerësimi dhe mirënjohjeje për të gjithë qytetarët që kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu tha se pas çdo profesioni dhe uniforme qëndrojnë individë me histori, pasione dhe përkushtim ndaj familjes dhe shoqërisë. Mes tyre, janë të rinj me uniformë, nga infermieria, te Policia e Shtetit, apo Zjarrëfikësve që përtej profesionit ndajnë pasione të ndryshme nga kafshët, natyra, etj.

“Përtej uniformës, është Aida, Ledjoni, Erioli, Muharremi, Arjola, Lefteri. Secili ka historinë e vet, pasionet dhe kohën e çmuar që ndan me miqtë dhe familjen. Edhe pse në profesione dhe rrugë të ndryshme, i bashkon diçka e madhe: Punojnë me përkushtim për Shqipërinë dhe besojnë te e ardhmja europiane e saj”, tha Koçiu.

Koçiu theksoi gjithashtu se Qeveria Shqiptare do të vijojë me zbatimin e reformave që synojnë rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe garantimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.

Mesazhi vjen në një ditë simbolike për të drejtat e punëtorëve, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e punës dhe kontributit të çdo individi në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.