Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në një panel mbi zgjerimin dhe trendet aktuale përgjatë forumit GLOBSEC në Pragë të Republikës Çeke.

Gjatë ndërhyrjes së tij, Ministri Hoxha riafirmoi se integrimi evropian mbetet zgjedhja strategjike dhe e pakthyeshme e Shqipërisë, duke u ndalur në progresin e rëndësishëm të vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Procesi i anëtarësimit në BE mbetet përparësia jonë kryesore kombëtare. Ai qëndron në zemër të përpjekjes sonë për zhvillim, ka udhëhequr vazhdimisht reformat tona, ka forcuar institucionet tona dhe ka ndihmuar në transformimin e Shqipërisë në një demokraci funksionale të bazuar në sundimin e ligjit”, deklaroi Hoxha.

Hapja e të 33 kapitujve të negociatave në kohë rekord, theksoi ai, pasqyron dy anët e së njëjtës monedhë: nga njëra anë, vendosmërinë tonë të palëkundur për reforma në një proces të bazuar në meritë; nga ana tjetër, qartësinë e vizionit dhe angazhimin politik të institucioneve të BE-së dhe Shteteve Anëtare.

Sipas Hoxhës, ambicia dhe fokusi ynë janë të qartë: të vazhdojmë dhe të konsolidojmë një rrugë të pakthyeshme reformash, duke iu afruar objektivit tonë çdo ditë.

Në këtë drejtim, theksoi ai, Konferenca e tetë Ndërqeveritare (IGC8) e ardhshme me Shqipërinë mbi “Raportin e Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme” (IBAR), e planifikuar për 26 maj 2026, do të shënojë një tjetër moment historik në procesin e anëtarësimit në BE.

“Konferenca do të konfirmojë përmbushjen e piketave të ndërmjetme nga Shqipëria dhe do të vendosë piketat përmbyllëse për Grupkapitullin 1 -Themeloret”, nënvizoi Hoxha.

Sipas tij, Zgjerimi i BE-së ka qenë gjithmonë një investim në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Evropës.

“Sot, kjo është bërë një imperativ. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim dhe përqafojmë integrimin gradual, qasjen “akses para anëtarësimit”, ku ndërsa i afrohemi anëtarësimit në BE deri në vitin 2030, qytetarët dhe bizneset tashmë mund të ndiejnë përgjatë rrugës, përfitimet e prekshme të integrimit”.