Nga Ulsi Manja

Ka ditë në politikë kur zhurma e debateve televizive, cinizmi i rrjeteve sociale dhe balta e përditshme të bëjnë të mendosh: “A ia vlen vërtet?”

Por ka edhe ditë si kjo e djeshmja në Dibër, që ta japin përgjigjen më të pastër. Ditë që të mbushin zemrën, sepse kupton se politika, përtej fjalëve, ka fuqinë të ndryshojë rrënjësisht jetën e njerëzve.

Dje Dibra nuk ishte thjesht një vend në hartë. Ishte skena e një rilindjeje që nuk erdhi nga sloganet, por nga një ëndërr shekullore që tashmë ka marrë formë: Rruga e Arbrit.

Në Lurë, aty ku dikur rruga ishte sfidë mbijetese, sot asfalti i ri të çon nga Peshkopia në qendër të Lurës për vetëm 37 minuta. Festa e Shënkollit hapi sezonin turistik mes qindra lurianëve të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë dhe i botës, bashkë me miq e dashamirës që kishin ardhur të festonin jo në një skaj të harruar, por në një vend krenarie dhe kujtese.

Në Fushë-Alie, lugina e Drinit ishte kthyer në një fushë gjigante feste. Djemtë e zonës, por edhe ata të emigruar në Angli, Greqi e Gjermani, ishin kthyer për kampionatin e futbollit. Shtëpitë dhe zemrat ishin të hapura, tavolinat plot dhe ajri mbante erën e mallit të shuar pas shumë vitesh largimi.

Ndërsa në Shumbat, dje nuk kishte më vend ku të uleshe. Qindra e qindra shumbatas dhe miq të tyre u mblodhën në aktivitetin “Shumbati Feston”. Një festë e superorganizuar për herë të parë nga djemtë e zonës brenda dhe jashtë Shqipërisë tërësisht me kontrubutet e tyre personale dhe familjare. Ishte emocionuese të shihje shqiptarë të ardhur nga Shkupi për të kërkuar rrënjët e tyre, duke u bashkuar me vëllezërit e tyre nën tingujt e Elita 5. Ishte një pamje që të kujtonte se kombi nuk mbahet gjallë vetëm nga politika, por edhe nga kujtesa, kultura dhe kthimi te origjina.

E gjithë Dibra dje ishte në Lurë, Fushë-Alie dhe Shumbat. Nuk e kam parë Dibrën më të bukur se dje.

Për dekada me radhë, Dibra është trajtuar si “xhepi i harruar” i Shqipërisë. Edhe pse në hartë ishte pranë Tiranës, në jetën reale duheshin pesë orë rraskapitëse për të mbërritur. Ky izolim nuk preku vetëm rrugët; ai goditi shpresën, ekonominë dhe vetë ndjesinë e përkatësisë. Njerëzit largoheshin jo vetëm nga varfëria, por edhe sepse ndiheshin të harruar.

Sot kjo histori ka ndryshuar.

Rruga e Arbrit nuk është thjesht një aks rrugor; është arteria që po i pompon sërish jetë Dibrës.

Gjatë kthimit për në Tiranë, pamja ishte mahnitëse: dibranë, miq, të ftuar, por edhe turistë të huaj ndalonin buzë rrugës për të blerë qershi. Madje kishte edhe nga ata që vilnin qershi bashkë me fermerët, sikur gjithë kjo stinë prodhimtarie të ishte kthyer në një festë të madhe të qershisë së Dibrës. Kur sheh prodhimin e sivjetshëm dhe tregun që nuk ankohet më për mungesë qarkullimi, e kupton se ekonomia lokale ka nisur të marrë frymë ndryshe.

 

Mund të mos biem dakord për bindjet politike. Mund të debatojmë pafund për ideologjitë. Por askush nuk mund të debatojë me realitetin e një jete që përmirësohet.Dje në Dibër, edhe skeptikët më të mëdhenj e thoshin hapur: “Bravo për Rrugën e Arbrit.” Dhe këtë nuk e thoshin për militantizëm, por sepse tani mund të shkojnë te prindërit e tyre për një orë. Sepse tani fermeri e nxjerr produktin në treg pa iu kalbur rrugës. Sepse tani Dibra nuk ndihet më e shkëputur nga pjesa tjetër e Shqipërisë.

Kjo është politika e vërtetë: një tunel që shkurton izolimin, një rrugë që kthen emigrantin në shtëpi dhe një investim që i rikthen një krahine të tërë dinjitetin e humbur.

Rruga e Arbrit nuk lidhi vetëm Dibrën me Tiranën; ajo lidhi dibranët me shtëpinë, fermerin me tregun, emigrantin me kujtesën dhe një krahinë të tërë me dinjitetin që i ishte mohuar për dekada.

Sot Dibra nuk është më fundi i hartës. Është një zemër që rreh fort në trupin e Shqipërisë.