Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festën që simbolizon sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s.
Në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin.
Në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë falën Namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në kryeqytet, programi i Kurban Bajramit nisi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafizi Enes Hyka, duke i dhënë një atmosferë të thellë shpirtërore këtij momenti të veçantë.
Ndërsa më pas kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu mbajti fjalën përshëndetëse duke u uruar besimtarëve festën e Kurban Bajramit.
“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të shenjtë, Allahu na kujton në Kuranin Famëlartë: ‘O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri te Allahu është ai që është më i devotshëm’. Ky ajet është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha Spahiu.
Programi kulmoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit, ku mijëra besimtarëve të mbledhur në bulevard u priu kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.
Në përfundim të ceremonisë besimtarët e shumtë të mbledhur me këtë rast shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta të kësaj dite të mbushur me paqe, dashuri, solidaritet dhe sakrificë.
Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabesë, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.
© BalkanWeb










