Ekipi i Kukësit arriti të shpëtojë sezonin në ditën e djeshme, duke siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë, pasi mposhti në përballjen direkte skuadrën e Butrintit me rezultatin 2-0.

Një edicion i vështirë për verilindorët, të cilët, pavarësisht oshilacioneve gjatë sezonit, arritën të mbështeten te talentet e rinj që udhëhoqën skuadrën në momentet më të rëndësishme dhe madje shkruan histori në kampionat.

Një nga emrat që u kthye në lider të skuadrës së Kukësit është talenti Leo Ballhysa. Me paraqitjet, golat dhe asistet e tij, ai rezultoi një nga lojtarët kyç në mbijetesën e ekipit, duke marrë përgjegjësi në momentet vendimtare të sezonit.

Edhe në sfidën e fundit ndaj Butrintit, Ballhysa ishte ndër më të mirët në fushën e lojës, duke qenë protagonist në golin e dytë me një asist perfekt, por edhe me krijimin e disa rasteve të rrezikshme për portën kundërshtare.

Ndonëse është folur më pak për të, Ballhysa ka hyrë në historinë e Kategorisë së Parë, pasi ka realizuar golin më të shpejtë në histori, duke gjetur rrugën e rrjetës në më pak se 34 sekonda.

22-vjeçari shihet si një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar dhe menaxhohet nga kompania SSM, e drejtuar nga Shkumbin Qormemeti dhe Haris Fakić.

Pas një sezoni shumë pozitiv me Kukësin, Leo Ballhysa pritet të bëjë një hap të rëndësishëm në merkaton e verës, teksa disa skuadra pritet të shfaqin interes për shërbimet e tij.

Kujtojmë se talenti 22-vjeçar ka qenë pjesë edhe e skuadrave elitare të futbollit shqiptar si Tirana, Dinamo dhe Laçi, duke fituar eksperiencë në ambiente konkurruese që në moshë të re.