Kur një qeveri shpërndan para publike në prag të zgjedhjeve, kufiri mes politikës sociale dhe ndikimit elektoral bëhet i paqartë.

Në Kosovë, ky kufi u sprovua sërish pas vendimeve të fundit të Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit për një sërë masash të mbështetjes sociale, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Në ditët para hapjes së fushatës zgjedhore më 28 maj, ajo ndau nga 100 euro si përkrahje të njëhershme për pensionistët, studentët, fëmijët dhe punëtorët; e rriti në 500 euro mbështetjen për lehonat; dhe ndau dy milionë euro subvencionim për kompanitë ajrore, për t’ua lehtësuar fluturimin mërgimtarëve gjatë verës.

Mbështetje e tillë ad hoc ishte dhënë edhe në prag të zgjedhjeve të kaluara, më 2025.

Vendimet nxitën kritika nga shoqëria civile dhe opozita, e cila i cilësoi veprimet e Qeverisë në detyrë si përpjekje për “blerje votash”.

Ligjet e tanishme në Kosovë nuk ia ndalojnë qartazi një qeverie ndarjen e ndihmave sociale apo subvencioneve në kohë parafushate apo në prag të zgjedhjeve.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se do të duhej të përcaktohej qartë me ligj se, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, Qeveria në detyrë nuk duhet dhe nuk mund të marrë vendime për ndarjen e pakove të reja financiare për kategori të caktuara shoqërore.

Qeveria në detyrë, sipas parimit të kufizimit të veprimeve të saj, duhet të ushtrojë vetëm funksione të domosdoshme, dhe të vazhdojë zbatimin e politikave të nisura apo të planifikuara paraprakisht, vlerëson ai.

Jakaj thotë se “ajo nuk duhet të ketë hapësirë që, përmes vendimeve të veçanta, të transferojë mjete publike për kategori të caktuara, nëse këto mjete nuk janë të planifikuara qartë dhe nëse vendimi mund të prodhojë efekt elektoral”.

Për këtë arsye, nënvizon ai, është e nevojshme të krijohet një periudhë “fiskale neutrale” para zgjedhjeve, gjatë të cilës një qeveri nuk mund të shpallë masa të reja financiare apo subvencione, pasi çdo ndërhyrje e tillë krijon pabarazi në garën zgjedhore dhe rrezikon që buxheti publik të përdoret për ndikim zgjedhor.

Po ashtu, këshillon ai, nevojitet një kod i sjelljes për Qeverinë gjatë periudhës zgjedhore, veçanërisht për përdorimin e resurseve shtetërore, si automjetet zyrtare, derivatet e të tjera, në mënyrë që partia që qeveris të mos ketë përparësi ndaj partive të tjera.

Ligji i tanishëm për Zgjedhjet nuk specifikon nëse vendime si këto të Qeverisë në detyrë, në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, janë të kundërligjshme.

Meqë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka rol të drejtpërdrejtë në kontrollin e shpenzimeve publike të Qeverisë, pasi mandati i saj lidhet kryesisht me administrimin e procesit zgjedhor, Jakaj thotë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit duhet të ketë rol më aktiv në vlerësimin e konfliktit të interesit dhe të keqpërdorimit të resurseve shtetërore gjatë fushatës.