Madonna ka tërhequr vëmendjen e publikut me një deklaratë të papritur gjatë promovimit të albumit të saj më të ri, “Confessions II”. Këngëtarja ikonike amerikane mori pjesë në një intervistë të realizuar për platformën Grindr, ku iu përgjigj disa pyetjeve rreth jetës së saj personale dhe eksperiencave romantike.

Kur u pyet se cila ka qenë përvoja më e mirë e dashurisë në jetën e saj, Madonna u shpreh se do të përmendte vetëm persona që nuk jetojnë më. Më pas, ajo përmendi emrin e John F. Kennedy Jr., djalit të ish-presidentit amerikan John F. Kennedy, duke e cilësuar si partnerin më të mirë që ka pasur ndonjëherë.

Sipas mediave ndërkombëtare, Madonna dhe Kennedy Jr. kanë pasur një marrëdhënie të shkurtër në fund të viteve 1980. Në atë periudhë, Kennedy ishte i lidhur me aktoren Christina Haag, ndërsa Madonna ishte e martuar me aktorin Sean Penn.

Detaje të tjera mbi raportin e tyre janë përmendur edhe në librin “JFK Jr.: An Intimate Oral Biography”, botuar në vitin 2024. Në libër, persona të afërt me Kennedy-n flasin për lidhjen e shkurtër mes tyre, duke e përshkruar atë si një histori që nuk zgjati shumë, por që mbeti e paharrueshme.

Aktualisht, Madonna raportohet se është në një lidhje me Akeem Morris. Ndërkohë, videoja e plotë e intervistës pritet të publikohet në kanalet zyrtare të Grindr, përfshirë YouTube dhe Instagram.