Një nga kapitujt më sfidues të grupkapitujve të negociatave është mbrojtja e mjedisit, bëri me dije kryenegociatorja Majlinda Dhuka gjatë raportimit në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ndërsa renditi një sërë detyrash të caktuara nga BE për anëtarësimin, Dhuka tha se investimet për mbrojtjen e mjedisit kërkojnë investime të vazhdueshme dhe bashkëpunim për burimet e rinovueshme.
“Është një nga fushat më sfiduese për anëtarësimin dhe pas anëtarësimit duke qenë se kërkon investime të mëdha në infrastrukturën publike e private sa i përket ndotjeve në ajër, ujërave, ndaj do të na duhet të punojmë të gjithë së bashku në lidhje me burimet e rinovueshme”, tha Dhuka.
Gjatë raportimit, Dhuka theksoi punën intensive për forcimin e sistemit të drejtësisë, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Mbeten ende ‘pezull’ kapitujt për drejtësinë e sigurinë, ndërsa mbyllja e negociatave pret përfundimin e diskutimeve të vendeve anëtare.
“Po diskutohen kushtet për kapitujt drejtësia dhe siguria. Shqipëria pret me interes të lartë përfundimin e diskutimeve me vendet anëtare. Kjo do t’i jepte vendit dritën jeshile për t’u futur formalisht në fazën e mbylljes së negociatave”, tha Dhuka.
101 është numri i kushteve që BE ka paraqitur për fazën e mbylljes së negociatave.
“Kemi hartuar 31 draftplane pune në të cilat janë zbërthyer planet e veprimit për 600 nisma evropiane që në disa raste janë nisma ose ndryshime ligjore”, tha Dhuka.










