Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e dytë të operacionit të koduar “Zonat”, duke goditur një tjetër rast të furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta në kryeqytet.

Në kuadër të operacionit, u arrestua një 51-vjeçar.

I dyshuari u lokalizua dhe u ndalua në një lokal në zonën e Freskut. Gjatë kontrollit të çantës që ai mbante me vete, efektivët gjetën dhe sekuestruan 811 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se 51-vjeçari kishte për qëllim furnizimin e personave të tjerë me këtë sasi droge, e cila më pas do të shpërndahej në doza në zona të ndryshme të Tiranës.

Një ditë më parë u finalizua edhe faza e parë e operacionit “Zonat” nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, ku u sekuestruan mbi 200 gramë kokainë dhe u arrestua poseduesi i saj.