Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi programin e ri “Rilindja 2.0”, një nismë e fokusuar te ndërhyrjet në territor dhe zhvillimi i qëndrueshëm rajonal.

Programi synon ndërhyrje në disa drejtime, duke nisur nga infrastruktura dhe transporti publik, deri te zhvillimi ekonomik lokal dhe krijimi i hapësirave komunitare.

Gjatë prezantimit, ministri renditi 11 objektiva strategjikë të programit të ri. Programi parashikon rritjen e standardeve të infrastrukturës publike, harmonizimin e arkitekturës lokale me zhvillimin urban, si dhe investime në objekte të sistemit arsimor.

Një nga pikat kryesore të projektit është krijimi i parkimeve të reja në 12 bashki të vendit. Sipas ministrit, janë evidentuar rreth 160 mijë metra katrorë sipërfaqe me potencial për afro 15 mijë vende parkimi, kryesisht në zona me intensitet të lartë urban dhe turistik.

“Janë evidentuar 160 mijë metra katrorë në 12 bashki, me potencial për rreth 15 mijë poste parkimi, sidomos në zona me intensitet urban dhe turistik”, deklaroi Demo.

Ndër objektivat kryesore përfshihen:

-nxitja e inovacionit dhe start up-eve lokale;

-përmirësimi i menaxhimit dhe riciklimit të mbetjeve;

-transformimi i transportit urban publik;

-krijimi i hapësirave të reja sportive dhe rekreative;

-forcimi i kapaciteteve të bashkive për mirëmbajtjen e aseteve dhe menaxhimin e përmbytjeve;

-zhvillimi i qyteteve inteligjente përmes konceptit “Smart City”.

“Duke filluar me forcimin e identitetit lokal, me ndërtimin e muzeve lokalë në zona të caktuara të Shqipërisë. Përmirësimi i funksionalitetit dhe aksesit në zonat urbane, këtu po fokusohemi në ndërtimin e parkimeve për të krijuar akses të qëndrueshëm në zonat urbane. Jemi fokusuar në bashkitë që kanë jo thjesht intensitet urban të theksuar, por edhe flukse turistike të konsiderushme.

Objektivi tjetër është rigjenerimi i hapësirave ish-industriale në asete për komunitetin. Ish-fabrika që janë privatizuar, janë potenciale ekonomike lokale që duhet t’i rikthehen komunitetit. Në fokus do jenë shërbimet parësore me ambiente sportive apo zona rekreative, por në të njëjtën kohë duke parë me imtësi edhe zhvillimin ekonomik lokal, sidomos me zhvillimin e start up-eve të reja. Objektivi i 4-ërt është rritja e standardeve të infrastrukturës publike duke harmonizuar arkitekturën lokale me atë që qytetet ofrojnë dhe mbi të gjitha duke krijuar potencial të ri zhvillimi për zona të caktuara, këtu fokusohemi te objekte që kanë të bëjnë me sistemin e edukimit. Nxitja e inovacionit është objektivi i 5-të, nxitja e start up-eve në nivel lokal për t’u dhënë mundësi të rinjve për t’u përfshirë.

Objektivi i 6-të është përmirësimi i mjedisit urban përmes mbulimit të plotë të territorit për menaxhimin e mbetjeve, por jo vetëm. Po punojmë me bashkitë edhe për riciklimin e mbetjeve. Objektivi i 7-të është transporti urban publik, për transformimin e këtij shërbimi në nivel lokal.

Objektivi i 8-të është nxitja e jetesës së shëndetshme nëpërmjet hapësirave të reja recreative, sportive në nivel vendor. Janë evidentuar 140 spote në nivel kombëtar për të krijuar këto pole të reja.

Objektiv tjetër është forcimi i kapacitetit të bashkive sa i përket mirëmbajtjes së aseteve që ka në territor, për ngritjen e një flote të re logjistike. Jemi në fazën e ekzekutimit të këtij procesi, sidomos për përmbytjet, për një sistem më të mirë vaditjeje dhe për të garantuar një infrastrukturë më të mirë lokale, sidomos në zonat rurale. Objektiv po ashtu është zhvillimi i qyteteve inteligjente nëpërmjet Smart City”, njoftoi ministri Demo.

Ministri Demo njoftoi gjithashtu se brenda 3 muajve të fundit të këtij vitit do të pilotohet bashkia e parë me autobusë elektrikë.

“Transporti do të bazohet në autobusë elektrikë. Bashkia e parë që do të pilotohet do të jetë brenda 3 muajve të fundit të këtij viti. Kjo do të rrisë cilësinë e shërbimeve në nivel lokal”, u shpreh Demo.