Shqipëria ka prezantuar Strategjinë Kombëtare Minerare 2026–2040, një dokument afatgjatë që synon transformimin e industrisë nxjerrëse në një sektor modern, të qëndrueshëm dhe të integruar me tregun e Bashkimit Evropian.

Strategjia mbështetet në tre dokumente kyçe: NSDI 2030, Aktin Evropian për Lëndët e Para Kritike (CRMA – Rregullorja BE 2024/1252) dhe Strategjinë Kombëtare të Specializimit të Mençur 2025–2030, duke orientuar sektorin drejt inovacionit, dixhitalizimit dhe teknologjive të gjelbra.

Drejtori i Drejtorisë së Programeve dhe Zhvillimit të Industrisë dhe Minierave, Dhori Dapi, u shpreh se strategjia krijon bazat për një industri minerare më konkurruese dhe më tërheqëse për investimet vendase dhe të huaja.

“Kjo strategji i jep industrisë minerare shqiptare një drejtim të qartë dhe afatgjatë, në përputhje me standardet evropiane. Ajo synon rritjen e vlerës së shtuar, forcimin e eksplorimit gjeologjik dhe modernizimin teknologjik në funksion të lëndëve të para kritike,” deklaroi Dapi.

Strategjia parashikon:

* rritjen e eksplorimit dhe rivlerësimin e rezervave minerale;
* zhvillimin e kapaciteteve për përpunimin dhe rafinimin brenda vendit;
* rikuperimin e metaleve nga mbetjet historike minerare;
* dixhitalizimin e plotë të të dhënave gjeologjike;
* forcimin e sigurisë teknike në industri;
* mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë;
* rigjallërimin e arsimit profesional dhe kërkimit shkencor në fushat e gjeologjisë dhe minierave.

Sipas Dapit, dokumenti synon ta pozicionojë Shqipërinë si një qendër rajonale për mineralet strategjike, duke mbështetur tranzicionin e gjelbër dhe furnizimin e qëndrueshëm me lëndë të para për ekonominë evropiane.