Kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në rrjetet sociale lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, e ka cilësuar si një “mister të gëzueshëm” përkimin e avancimit të negociatave me 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit.

Kreu i qeverisë e quan Naim Frashërin si “udhërrëfyesin gjenial” të aspiratës shekullore të shqiptarëve drejt Europës, duke përmendur shprehjen simbolike të poetit: “Diellit që lind andej nga perëndon”.

“Mirëmëngjes! Është një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”.

Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj “Shqipëribërësin” e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë”, shkruan Rama në Facebook.

Rama thekson gjithashtu se me punën e përbashkët nën dritën e amanetit të Naim Frashërit dhe rilindësve tanë, Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit.

“Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e “Diellit që lind andej nga perëndon. Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar! Javë të mbarë”, thekson Rama.
Nesër, 26 maj në Bruksel do të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE,e cila sipas tij “vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit”.

Në Bruksel për konferencën e tetë ndërqeveritare do të udhëtojë edhe kryeministri Rama me një përfaqësi të kabinetit qeveritar.