Muzeu i Luvrit në Paris ka njoftuar përzgjedhjen e një ekipi arkitektësh francezë dhe gjermanë për projektin e tij të zgjerimit, një plan ambicioz që vlerësohet të kushtojë nga 700 milionë deri në 1 miliard euro dhe që ka shkaktuar reagime të shumta në Francë.
Sipas njoftimit zyrtar, projekti synon të krijojë një hyrje të dytë madhështore në muze, me qëllim uljen e mbipopullimit dhe rritjen e kapacitetit të vizitorëve me rreth tre milionë në vit. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi i një hapësire të re ekspozimi ekskluzive për “Mona Lisën” e Leonardo da Vinçit, një nga veprat më të vizituara në botë.
Për realizimin e projektit janë përzgjedhur firmat STUDIOS Architecture Paris dhe Selldorf Architects, të cilat janë zgjedhur nga një listë prej pesë kandidatësh. Ministrja e Kulturës së Francës, Catherine Pegar, e ka cilësuar dizajnin si “të respektueshëm dhe bashkëkohor”, duke theksuar se ai synon të krijojë një lidhje të re mes qytetit, pallatit dhe muzeut.
Projekt i madh, por me polemika
Zgjerimi i Luvrit shihet si një projekt me rëndësi të veçantë për presidentin francez Emmanuel Macron, por ai është shoqëruar me kritika të forta lidhur me kostot e larta, drejtimin e projektit dhe situatën politike në vend përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Debati është intensifikuar edhe pas një sërë incidentesh në muze, përfshirë një grabitje të bujshme në Galerinë Apollo në tetor, ku u vodhën bizhuteri me vlerë mbi 100 milionë dollarë. Ngjarja nxori në pah probleme serioze të sigurisë dhe çoi në dorëheqjen e drejtueses së atëhershme të institucionit, Laurence de Carr.
Përveç grabitjes, muzeu është përballur edhe me incidente të tjera, përfshirë një rrjedhje uji që dëmtoi disa qindra libra në Bibliotekën e Antikiteteve Egjiptiane. Sipas administratës së muzeut, materialet e dëmtuara nuk kanë vlera të pariparueshme kulturore dhe do të restaurohen. Megjithë sfidat, drejtuesit e rinj të muzeut kanë deklaruar se projekti i zgjerimit, i njohur si “Luvri – Një Rilindje e Re”, do të vazhdojë, duke synuar modernizimin e një prej muzeve më të vizituara në botë.










