Muzika, vallet tradicionale dhe ngjyrat e kostumeve folklorike e kthyen shëtitoren e Sarandës mbrëmjen e së premtes në një skenë të madhe të kulturës dhe traditave ndërkombëtare, duke mirëpritur Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës dhe Valleve “Saranda 2026”.

Qytetarë dhe turistë ndoqën nga afër performancat e grupeve folklorike nga Polonia, Rumania, Mali i Zi, Letonia dhe Saranda, të cilat sollën në qytetin bregdetar vallet, këngët dhe kostumet karakteristike të vendeve të tyre.

Pjesëmarrësit e ardhur nga vende të ndryshme të Europës vlerësuan mikpritjen dhe bukuritë natyrore të Sarandës. Një nga grupet pjesëmarrëse ishte Ansambli i Valleve Popullore i Universitetit “Maria Curie-Skłodowska” në Lublin të Polonisë. Ata mbetën të impresionuar nga mikpritja dhe bukuritë e Shqipërisë.

“U ndiem shumë rehat në këtë festival dhe në Shqipëri për shkak të motit dhe atmosferës së duhur. Kemi ardhur këtu për herë të parë. Udhëtimi ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por ia vlejti. Jemi shumë të kënaqur që jemi këtu. Ju keni gjithçka, detin, plazhet, diellin, malet dhe pamjet janë mahnitëse”, tha përfaqësuesja e grupit nga Polonia.

Përshtypje pozitive për qytetin bregdetar dhanë edhe artistët nga Mali i Zi, të cilët theksuan se Saranda i ka përmbushur pritshmëritë e tyre dhe se mezi prisnin të ndanin me publikun repertorin e përgatitur për festivalin.

“Kemi ardhur për herë të parë dhe Saranda është e këndshme, ashtu siç e prisnim. Kemi kaluar dy ditë këtu dhe sot është nata e performancës. Shpresojmë që publikut t’i pëlqejë performanca jonë. Do të prezantojmë valle nga Mali i Zi, por edhe disa kompozime nga ish-Jugosllavia”, tha përfaqësuesja e grupit nga Mali i Zi.

Sipas organizatorëve, festivale të tilla janë një mundësi e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe shkëmbimin artistik mes vendeve të ndryshme.

“Rëndësia e këtij aktiviteti është se përveçse si destinacion turistik, Saranda prezantohet edhe si një destinacion kulturor. Bashkëpunimi kulturor dhe artistik ndërmjet trevave të ndryshme është shumë i rëndësishëm dhe Saranda është një vend ideal për organizimin e eventeve të tilla”, tha drejtori i qendrës Kulturore Sarandë, Ismail Murtaj për mediet.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës dhe Valleve “Saranda 2026” solli për disa orë në zemër të qytetit një mozaik kulturash, duke konfirmuar edhe një herë rolin e Sarandës si një qendër mikpritëse e aktiviteteve kulturore ndërkombëtare dhe një pikë takimi për artistë nga vende të ndryshme të botës.