Shefi i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, zhvilloi një rund të ri takimesh me zyrtarë të lartë iranianë në Teheran më 23 maj, si pjesë e një përpjekjeje të gjerë diplomatike që përfshin Pakistanin, Katarin, shtetet e Gjirit Persik dhe vendet perëndimore, mes frikës në rritje se konflikti në Iran mund të ndizet sërish.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se Munir zhvilloi takime të ndara me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, dhe kryetarin e Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, pas bisedimeve të mëhershme me ministrin e Jashtëm, Abbas Araqchi, të cilat vazhduan deri vonë natën e 22 majit.
Sipas raportimeve, diskutimet u përqendruan në propozimet diplomatike dhe mesazhet e shkëmbyera mes Teheranit dhe Uashingtonit, përfshirë një dokument me 14 pika, të cilin Irani e konsideron thelbësor për negociatat e ardhshme. “Historia dhe përvoja e negociatave me amerikanët na detyrojmë që të tregojmë kujdesin maksimal”, i tha Pezeshkian Munirit gjatë takimit, sipas mediave shtetërore iraniane.
Qalibaf, i cili është shfaqur si një nga negociatorët kryesorë të Teheranit që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, tha se Irani nuk do të bëjë kompromis për “të drejtat e tij” dhe akuzoi Uashingtonin se nuk po negocion në mirëbesim.
“Ne nuk do të heqim dorë nga të drejtat e kombit dhe vendit tonë”, tha Qalibaf, sipas televizionit shtetëror iranian, duke paralajmëruar se nëse Shtetet e Bashkuara “në mënyrë të pamatur e rinisin luftën”, pasojat do të jenë “më të fuqishme dhe më të hidhura” sesa në fazat e mëhershme të konfliktit.
Përpjekja diplomatike vjen pas javësh me sinjale të ndryshme nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka kërcënuar vazhdimisht me veprime ushtarake kundër Iranit, por njëkohësisht është tërhequr nga rinisja e sulmeve për t’i lënë hapësirë vazhdimit të bisedimeve.
Përpjekja e re ndërmjetësuese vjen mes raportimeve se Irani dhe Shtetet e Bashkuara po shkëmbejnë mesazhe dhe propozime përmes ndërmjetësve, në përpjekje për të krijuar një kornizë formale për negociatat e ardhshme. Bisedimet janë indirekte, ndërsa Pakistani, Katari dhe Omani janë ndër vendet që po lehtësojnë komunikimin mes dy palëve.










