Sot studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do protestojnë në Shkup për gjuhën shqipe. Shkupi Çlirim Iseni, student dhe njëkohësisht protestues, tha në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’ se shpreson që gjatë kësaj proteste mos të kenë provokime nga pala maqedonase. Ndër të tjera ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen që kanë marrë nga Kosova dhe Shqipëria.

“Kemi disa fjalime të përgatitura, shpresojmë që të jetë paqësore ashtu si ne e kemi planifikuar dhe të mos biem pre e provokimeve. Mbështetja për këtë protestë ka qenë shumë e madhe veçanërisht nga Shqipëria dhe Kosova. I jemi mirënjohës Shqipërisë që na ka mbështetur në kauzën tonë”, tha ai.

Më tej Iseni i cili studion për juridik thekson se do të vijojnë të luftojnë deri në fund për kauzën e tyre.

“Është e pakuptimtë që gjatë gjithë jetës sonë ne kemi studiuar shqip dhe në fund t’i nënshtrohemi një provimi në gjuhën maqedonase. Nëse ne studiojmë shqip, përse mos të testohemi shqip. Ne luftojmë për flamurin tonë shqiptar. Ne duam një përgjigje konkrete nga institucionet, prandaj edhe dalim në rrugë. Të gjithë thonë do presim po nuk do të presim. Do i shkojmë deri në fund të kësaj kauze, pritja është nënshtrim”, theksoi ai.

https://shqiptarja.com/lajm/protesta-e-studenteve-ne-shkup-per-gjuhen-shqipe-i-riu-mirenjohes-shqiperise-per-mbeshtetjen-do-i-shkojme-deri-ne-fund-te-kesaj-kauze