Dy ditë më parë Shkupi u vesh kuqezi nga flamujt që studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mbanin në duar, teksa kërkonin të drejtën e mbajtjes së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ndërkohë që pati reagime nga të gjitha trevat shqipfolëse nga Tirana në Prishtinë, ka pasur pretendime për indiferencë të shtetit shqiptar ndaj shqetësimeve të studentëve shqiptarë në Shkup.
Në një reagim ekskluziv për Report TV, Ministria e Jashtme i cilëson të pavërteta dhe të padrejta këto pretendime, duke vënë theksin tek angazhimi i drejtprëdrejtë institucional dhe diplomatik i Tiranës zyrtare.
“Është krejt e pavërtetë dhe për më së paku e padrejtë të tentohet të krijohet përshtypja sikur shteti shqiptar ka qenë indiferent ndaj shqetësimeve të studentëve shqiptarë në Shkup. Përkundrazi, ka pasur angazhim të drejtpërdrejtë institucional dhe diplomatik. Ambasada e Shqipërisë në Shkup ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me studentët dhe me zhvillimet në terren. Vetë Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, i gjendur në Shkup, është takuar personalisht me studentët për të dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre legjitime. Institucionet shqiptare, as më parë e as në ketë rast, nuk kanë qëndruar pasive përballë kësaj situate. Është e tepërt të kujtohet se përfaqësitë diplomatike janë pjesë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësojnë zyrtarisht shtetin shqiptar, kudo në botë, përfshirë në Maqedoninë e Veriut. Çdo angazhim diplomatik është angazhim i vetë shtetit shqiptar” thuhet në reagimin që dha për Report TV zëdhënësi i MEPJ, Alteo Hysi
Kryediplomacia shqiptare sjell në vëmendje angazhimin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, që ka reaguar publikisht në mbështetje të studentëve shqiptarë dhe të drejtës së tyre për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë” ka thënë Hoxha, i cili ka përgëzuar studentët për angazhimin qytetar ‘dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre.’
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme nënvizon për Report TV se mekanizmat e komunikimit në diplomaci shkojnë përtej deklaratave mediatike apo në rrjete sociale.
“Njëkohësisht, duhet kuptuar se diplomacia ka kodet, format dhe mekanizmat e saj të komunikimit dhe veprimit. Jo çdo angazhim institucional bëhet domosdoshmërisht publik në kohë reale dhe as reflektohet menjëherë në rrjetet sociale apo në deklarata mediatike. Shpesh, puna diplomatike zhvillohet përmes kontakteve të drejtpërdrejta, komunikimeve institucionale dhe kanaleve zyrtare, me qëllim arritjen e rezultateve konkrete dhe efektive” thuhet në reagim.
Përmes këtij sqarimi për Report TV, Ministria e Jashtme vuri theksin tek përgjegjësia dhe serioziteti që kërkon kjo çështje dhe mbi të gjitha theksoi se “të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe respektimi i gjuhës shqipe janë çështje që meritojnë unitet institucional dhe mbështetje reale, jo deformim të fakteve.










