Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht për protestat gjithnjë e në rritje kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe dhunës së pajustifikueshme që një grup rojesh private udhtruan dje ndaj disa protestusve.
Përmes rrjeteve sociale, kreu i qeverisë lajmëron se nesër në orën 10:00 do të mbajë një komunikim live për të sqaruar të gjitha aludimet mbi resortin që planifikohet të ndërtohet në Zvërnec.
Gjithashtu, ai përgëzon kryepolicin e Përgjithshëm, Skëndër Hita, për faktin që pezulloi drejtorin e policisë së Vlorës, si dhe për vënien nën hetim të zinxhirit komandues të bluve në kryeqytetin bregdetar.
Reagimi i Edi Ramës:
Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit. Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës. Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura. *Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10.00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht.










